Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Kosova voton sot! Qendrat e votimit në të gjithë Kosovën u hapën sot në orën 07:00 të mëngjesit, duke shënuar nisjen e procesit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote pritet t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhje që zhvillohen pas një periudhe të gjatë ngërçi politik.
Këto janë zgjedhjet e treta të mbajtura brenda 18 muajve, pas dështimit të forcave politike për të arritur konsensus mbi çështje kyçe institucionale. Fushata zgjedhore është dominuar nga premtimet për zhvillim ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Në garë janë partitë kryesore politike të vendit, të cilat synojnë të sigurojnë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Analistët vlerësojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë vendimtar për zhbllokimin e situatës politike dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.
Procesi i votimit do të vazhdojë deri në orën 19:00, kur pritet të mbyllen qendrat e votimit dhe të nisë numërimi i votave. Rezultatet paraprake pritet të publikohen gjatë mbrëmjes.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë proces zgjedhor kanë të drejtë vote 2,092,174 qytetarë, që përbën një rritje prej 15,884 votuesish krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Për zgjedhjet e sotme janë shtypur gjithsej 1,778,300 fletëvotime. Prej tyre, 1,605,000 janë për vendvotimet e rregullta, 19,450 për votim me kusht, 13,500 si fletëvotime rezervë, si dhe 3,500 për personat me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se pas një procesi përgatitor 37-ditor, të gjitha materialet zgjedhore janë shpërndarë në 38 Qendra Komunale të Numërimit dhe prej aty janë dërguar në vendvotime në mëngjesin e ditës së sotme.
“Materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë në të gjitha qendrat komunale të numërimit dhe më pas janë dërguar në qendrat e votimit, të cilat hapen në orën 07:00”, ka deklaruar Elezi.
Për garantimin e integritetit të zgjedhjeve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të monitorojnë procesin në të gjithë vendin deri në përfundimin e tij. Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike që të raportojnë çdo dyshim për keqpërdorime apo manipulim të votës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ dhe ka mobilizuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për sigurimin e qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, me qëllim të garantimit të një procesi të qetë, të sigurt dhe të rregullt para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.