VIDEO/ Miqësorja nis keq, Luksemburgu ndëshkon kuqezinjtë në ‘Air Albania’

Kombëtarja shqiptare ka pësuar një goditje të shpejtë në miqësoren ndaj Luksemburgut, me miqtë që kanë kaluar në avantazh që në minutat e para të takimit që po zhvillohet në stadiumin “Air Albania”.

Pas humbjes 1-0 ndaj Izraelit disa ditë më parë, kuqezinjtë synonin reagimin dhe fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, por ndeshja ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Në minutën e 8-të, Luksemburgu gjeti rrugën e rrjetës falë Sinanit.

Aksioni nisi nga Dardari, i cili kaloi me lehtësi mbrojtjen shqiptare në krahun e majtë dhe më pas shërbeu në qendër, aty ku Sinani nuk gaboi përballë portës, duke dërguar topin në rrjetë për 0-1.

https://streamin.link/v/c4a5b8bd

Shqipëria kishte dhënë sinjale pozitive në minutat e para, teksa në minutën e katërt Qazim Laçi provoi me një goditje nga distanca që kaloi shumë pranë shtyllës.

Pak çaste më vonë, Bajrami krijoi një tjetër rast të mirë, por pasimi i tij në zonë nuk u shfrytëzua si duhet.

Pas golit të pësuar, kuqezinjtë po përpiqen të reagojnë, ndërsa trajneri Maran pret një përgjigje nga skuadra e tij për të shmangur një tjetër rezultat zhgënjyes në këtë periudhë miqësoresh.