Emigranti pa letra fitoi 500 mijë euro me një biletë lotarie, por nuk mund t’i tërhiqte
Fati i buzëqeshi një 36-vjeçari nga Nigeria, i cili fitoi 500 mijë euro me një biletë “Gratta e Vinci” të blerë pranë një supermarketi në Pesaro të Italisë.
Por pas fitores së madhe, ai u përball me një betejë të gjatë ligjore për të marrë paratë dhe për të rregulluar statusin e tij në vend.
Imagbe Ehizomwengie, i cili jetonte prej katër vitesh pa leje qëndrimi, kishte blerë biletën fituese në nëntor të vitit 2025 me paratë që siguronte duke kërkuar lëmoshë dhe duke punuar si shitës ambulant.
Megjithatë, mungesa e dokumenteve e pengonte të hapte një llogari bankare për të tërhequr shumën e fituar.
Imagbe kishte mbërritur në Itali në vitin 2022, pasi ishte larguar nga Nigeria për t’iu shmangur presioneve familjare për t’u bërë pjesë e një sekti sekret të drejtuar nga babai i tij. Kërkesa e tij për mbrojtje speciale ishte refuzuar fillimisht nga autoritetet italiane.
Megjithatë, Gjykata e Ankonës rrëzoi vendimin e mëparshëm dhe urdhëroi pajisjen e tij me leje qëndrimi për mbrojtje speciale. Sipas gjykatës, integrimi i tij në shoqërinë italiane, njohja e gjuhës dhe mungesa e precedentëve penalë ishin faktorë vendimtarë.
Tashmë, 36-vjeçari mund të disponojë ligjërisht fitimin e tij prej 500 mijë eurosh dhe të nisë një jetë të re me punë të rregullt në biznesin e familjes.