Formula 1/ Antonelli rrëmben ‘pole position’ në Monako
Andrea Kimi Antonelli vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga yjet më të mëdhenj të Formula 1.
Piloti italian 19-vjeçar zhvilloi një tjetër paraqitje spektakolare, duke siguruar pole position në Çmimin e Madh të Monakos pas një sesioni dramatik kualifikues.
Talenti i Mercedesit realizoi xhiron më të shpejtë në momentet e fundit, duke ndalur kronometrin në 1 minutë, 12 sekonda e 51 të mijtat.
Një kohë që i mjaftoi për të lënë pas kampionin në fuqi Max Verstappen me vetëm 43 të mijtat diferencë.
Antonelli po kalon një sezon të jashtëzakonshëm dhe po shfaqet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për titullin kampion, duke sfiduar emrat më të mëdhenj të sportit.
Pas dyshes së parë u rendit Lewis Hamilton me Ferrarin, ndërsa Charles Leclerc, në garën e shtëpisë së tij, duhej të kënaqej me vendin e katërt.
Pavarësisht se Ferrari kishte treguar ritëm të lartë gjatë fundjavës, skuadra italiane nuk arriti të sigurojë rreshtin e parë të nisjes.
Surprizë pozitive ishte edhe Isack Hadjar, i cili siguroi vendin e pestë, duke lënë pas George Russell me Mercedes. Ndërkohë, McLaren nuk arriti të rivalizojë për kreun, me Oscar Piastri dhe Lando Norris që u pozicionuan respektivisht në vendet e shtatë dhe të tetë.
Dhjetëshja e parë u kompletua nga Pierre Gasly dhe Liam Lawson, ndërsa të gjitha sytë tashmë janë te gara e së dielës, ku Antonelli do të synojë të shndërrojë pole position në një tjetër fitore të madhe në sezonin e tij të jashtëzakonshëm.