Shehu: Rilindja po bllokon një ligj jetik për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve
Nga Tritan Shehu
Rilindja bllokon diskutimin e ‘Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve’, shqiptarët duhet të reagojnë fort ndaj kësaj taktike për një çështje madhore.
Një ligj urgjent ky, për të penguar indoktrinimin e këtyre brezave nga propaganda e Gender Fluid, Gender Ideologjik, përdorimit të hormoneve e kirurgjisë për transformim të seksit, Woke Society, familjes jashtë asaj të shenjtë, abortit.
Një ligj ai, që kërkon të forcojë rolin dhe pjesëmarrjen e prindërve në këto përballje të rrezikshme për të rinjtë.
Diskutimi për këtë projektligj ishte planifikuar të fillonte në ‘Komisionin Parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet’, të hënën, ora 12:00.
Por përfaqësuesit e maxhorancës njoftojnë befasisht anulimin e këtij kalendari të miratuar, me ‘arsyen se nuk janë akoma gati për një diskutim të tillë’!
Në një kohë që ky projektligj është depozituar nga ne prej një kohe të gjatë.
Në një kohë kur Ministria e Shëndetësisë, me një „Urdhër’ të paligjshëm, urdhëron fillimin e procedurave të „ndryshimit të seksit’ prej moshës 14-vjeçare dhe rutinizimin e tyre në moshën 16 vjeç!
E papranueshme dhe tejet e rrezikshme kjo taktikë bllokuese e Rilindjes ndaj një çështjeje me rëndësi kombëtare, familjare, njerëzore e jetike për shoqërinë në tërësi.
Opinioni publik shqiptar duhet të reagojë me forcë në mbrojtje të kësaj çështjeje themelore për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.
Koha nuk pret: familja, fëmijët, jeta, duhen mbrojtur, sepse janë qartësisht të rrezikuar.