Irani bëhet ‘mollë sherri’ për Botërorin, disa pjesëtarë të stafit nuk lejohen të futen në SHBA

Vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, ka shpërthyer një përplasje e re mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Federata iraniane dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendit kanë akuzuar autoritetet amerikane për refuzimin e vizave për disa anëtarë të rëndësishëm të stafit të kombëtares.

Kjo erdhi disa orë pasi SHBA konfirmoi se lojtarët e Iranit dhe stafi i nevojshëm mbështetës kishin marrë lejen për të udhëtuar drejt turneut.

Megjithatë, sipas ambasadës iraniane në Turqi, një pjesë e konsiderueshme e stafit drejtues, ekzekutiv dhe këshilltarëve teknikë nuk kanë marrë vizat e kërkuara.

Në reagimin e saj, pala iraniane e cilësoi situatën si një ndërhyrje politike në sport dhe kërkoi ndërhyrjen e FIFA-s. Sipas mediave iraniane, mes personave që nuk janë lejuar të hyjnë në SHBA ndodhen edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit dhe zëvendësi i tij.

Nga ana tjetër, autoritetet amerikane kanë deklaruar se sistemi i vizave nuk do të përdoret për të lejuar hyrjen e individëve që mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Më herët gjatë javës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte theksuar se delegacioni iranian nuk mund të përfshijë persona të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike.

Botërori 2026 do të jetë edicioni i parë në histori ku një vend organizator do të presë kombëtaren e një shteti me të cilin ndodhet në konflikt të drejtpërdrejtë.

Turneu do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Irani do ta nisë aventurën e tij më 15 qershor në Los Anxhelos.

Pavarësisht tensioneve politike, kombëtarja iraniane mbetet e fokusuar te fusha e lojës, ku synon të kalojë fazën e grupeve në një nga Botërorët më të rëndësishëm të historisë së saj.