Granit Xhaka ndez ëndrrën e Zvicrës: Dua të arrijmë diçka të jashtëzakonshme në Botëror
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shfaqur ambiciet e tij të mëdha në prag të Kupës së Botës, duke theksuar se objektivi minimal i skuadrës është kalimi i fazës së grupeve, por pa fshehur dëshirën për të shkuar shumë më larg në turne.
Mesfushori me përvojë, i cili po përgatitet për Botërorin e katërt në karrierë, foli për mentalitetin e tij fitues dhe emocionet që vazhdon të ndiejë para çdo ndeshjeje.
Xhaka zbuloi se ka edhe një ritual të veçantë para sfidave, duke nisur gjithmonë veshjen nga ana e djathtë e trupit.
“Përderisa e ndiej atë shpërthim emocionesh dhe adrenaline para ndeshjeve, jam i lumtur. Sapo të zhduket, nuk do të jem më këtu”, deklaroi kapiteni zviceran.
Duke folur për synimet e kombëtares, 33-vjeçari theksoi se kalimi i grupeve mbetet hapi i parë dhe më i rëndësishëm, por ai nuk dëshiron të vendosë kufij për atë që mund të arrijë skuadra.
“Më pëlqen të ëndërroj dhe ëndërroj shumë. Ne duam t’i bëjmë ëndrrat realitet, duke arritur diçka të jashtëzakonshme”, u shpreh Xhaka.
Mesfushori hodhi poshtë gjithashtu zërat se ky mund të jetë Botërori i tij i fundit.
Ai theksoi se synon të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë për sa kohë do të ketë motivimin, urinë për sukses dhe gjendjen e duhur fizike.
Me përvojën dhe lidershipin e tij, Xhaka mbetet figura kryesore e Zvicrës në misionin për të realizuar një nga surprizat e mëdha të Kupës së Botës.