Diaspora ngrihet kundër qeverisë! Protesta në Firence, Milano, Londër e Berlin

Vala e indinjatës qytetare kundër qeverisë Rama ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, duke u shndërruar në një lëvizje ndërkombëtare që ka përfshirë diasporën. Jehona e revoltës ka përfshirë edhe Firencen, Milanon dhe Londrën ku është protestuar këtë të shtunë nga shqiptarët e diasporës, të cilët kanë protestuar me thirrje kundër qeverisë dhe akuza për keqqeverisje e korrupsion.

SYRI TV

Vala e indinjatës qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, duke u shndërruar në një lëvizje ndërkombëtare që ka përfshirë diasporën. Jehona e revoltës ka mbërritur në metropolet kryesore të Evropës, Amerikës së Veriut dhe më gjerë, të cilat janë bërë vatrat e një qëndresës të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Këtë të shtunë (6 qershor) shqiptarët e diasporës janë mbledhur në Piazza della Signoria në Firence të Italisë. Të shoqëruar nga fëmijë e familjarë, ata kënduan himnin kombëtar, teksa nuk ndalën thirrjet kundër qeverisë.

Revoltës qytetare në Firence i janë bashkuar edhe qytetarë italianë e amerikanë, si dhe shoqata të rëndësishme mjedisore si "Legambiente" dhe "Fridays for Future".

Pas Firences, organizimet kanë vazhduar edhe në Milano, duke nxjerrë në pah pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë së kryeministrit Rama dhe situatës së rënduar sociale e ekonomike në vend. Me flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre për largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve, veçanërisht të rinjve, nga vendi. Në qendër të kritikave kanë qenë gjithashtu akuzat për keqqeverisje e korrupsion.

Edhe Londra e Berlini është bërë pjesë e kësaj vale reagimi kundër politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Qindra shqiptarë janë mbledhur në kryeqytetin britanik me flamuj kombëtarë dhe pankarta, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për qeverinë.

Tubimet masive po zhvillohen paralelisht në kryeqytet e shumë qytete të vendit, si dhe qytete të tjera përtej Shqipërisë ku jeton një komunitet i madh shqiptar, duke treguar se pakënaqësia po shprehet edhe jashtë vendit e duke u interpretuar si një sinjal i fortë pakënaqësie ndaj qeverisë Rama.