Manuel Neuer shqetëson Nagelsman, rrezikon të humbasë testin e fundit para Botërorit

Kombëtarja gjermane ka marrë një lajm aspak të mirë vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës.

Portieri legjendar, Manuel Neuer, vazhdon të mos stërvitet me grupin, duke vënë në dyshim serioz pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e fundit përgatitore para turneut.

Gardiani 39-vjeçar nuk ishte në gjendje të zbriste në fushë as gjatë seancës së të enjtes, duke shtuar shqetësimet në kampin e “Pancerave”.

Situata po i shkakton dhimbje koke trajnerit Julian Nagelsman, i cili e konsideron Neuer një nga pikat kyçe të skuadrës.

Portieri i Bajernit po rikuperohet nga një dëmtim në pulpën e këmbës, të pësuar në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Këlnit. Për shkak të këtij problemi, ai mungoi edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë, ku Bajerni triumfoi 3-0 ndaj Shtutgartit.

Nëse gjendja e tij nuk përmirësohet në ditët në vijim, ekziston mundësia që Neuer të mos luajë asnjë minutë para nisjes së Botërorit.

Kjo do të thotë se rikthimi i tij në fushë mund të ndodhë direkt në një ndeshje zyrtare të turneut.

Neuer nuk ka luajtur me kombëtaren gjermane prej më shumë se dy vitesh dhe pritej të rikthehej si titullar absolut. Gjermania do të nisë aventurën në Kupën e Botës më 14 qershor, në sfidën ndaj Curaçaos, ndërsa mbetet për t’u parë nëse veterani do të jetë gati për të mbrojtur portën e ekipit të tij.