Berisha: Këshilli Kombëtar i PD thirrjet javën që vjen. Do bëjmë gjithçka për suksesin e protestës qytetare

Berisha njoftoi sot se Këshilli Kombëtar i PD do të mblidhet javën që vjen.

Flamur Dardani: Prej disa ditësh vendi po ndjek protestën e njohur si protesta e flamingove, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka deklaruar se do të rifillojë ciklin e protestave sapo të përfundojë procesi i ristrukturimit të brendshëm. Kur pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar për zgjedhjen e kryesisë dhe a ka një afat të përafërt se kur mund të mbahet protesta e ardhshme kombëtare e opozitës?

Sali Berisha: Shumë e drejtë pyetja. E vërteta është që ne kemi patur në projekt të thërrasim protestën kombëtare, por nuk e kemi bërë për shkakun e vetëm të protestës së përditshme të qytetarëve.

Iu kemi dhënë atyre, në respekt të tyre i kemi dhënë përparësi, ndërkohë demokratët, të gjithë ata që kanë dashur të protestojnë kanë shkuar dhe kanë protestuar. Ky është qëndrimi.

Pra, as nuk kemi bërë përpjekje, kemi respektuar e kanë thirrur të tjerë, dhe kanë meritën e tyre, e kam quajtur të jo të arsyeshme që ne të rivalizojmë me një protestë, por përkundrazi të bëhet gjithçka për suksesin e saj në pjesëmarrjen qytetare, si qytetar.

Kështu që nuk mund të them se ne e ndjekim me shumë angazhim këto zhvillime, shohim që kriza po thellohet në mënyrë të pandalshme.

Shohim qëndrimet e Edi Ramës bëhen çdo ditë e më të papërgjegjshme. Por ne, thashë, jemi të gatshëm në çdo moment, në çdo kohë, të vazhdojmë përmbushjen e misionit tonë.

Përsa i përket mbledhjes, këtë javë mblidhet Këshilli Kombëtar, këtë javë zgjidhet Kryesia e Partisë Demokratike, këtë javë pra plotësohen të gjitha.

Është lënë edhe pak kohë se ka patur ndonjë ankesë dhe shpresoj që çdo njeri që ka dyshimin më të vogël në numërimin e votave, është i ftuar nga unë të vijë të rinumërojë votë për votë votat e tij.