Berisha: Parku i Butrintit është kafshuar për vdekje nga Rama! Ne do i rikthejmë këto territore në zona të mbrojtura

“Parku i Butrintit është kafshuar për vdekje nga Rama!” “Ne do i rikthejmë këto territore në zona të mbrojtura”, tha kreu demokrat

Komisari Memo: Zoti Berisha, do të desha t’u pyes për sa i përket barbarisë që është bërë nga parku i Butrintit gjer në Bunë, nga Berati në Gjirokastër me betonizimin. Pyetja është, çfarë mund të bëhet dhe si mund të bëhet rikuperimi i kulturës dhe natyrës, por mbi të gjitha për cilësinë e jetës. Ju lutem një shpjegim?

Sali Berisha: Jam dakord me ju, këto kanë qenë 13 vitet e shkatërrimit më të madh të këtij vendi.

Përmende Butrintin, parku i Butrintit, unë nuk mund të them se kam shëtitur gjithë botën, por parku i Butrintit me ato 9 mijë hektarë tokë dhe liqene që kishte, në mendjen time ishte një nga pasuritë më përrallore natyrore, arkeologjike, historike.

Dhe duhet të them i dashur mik, se për sa kohë qemë në pushtet, në mënyrë absolute përveç zgjerimit të rrugës për arsye të turistëve, sepse rruga ishte e ngushtë dhe autobusët rrezikoheshin, nuk është bërë as edhe një ndërhyrje. Është respektuar me rigorozitetin më të madh.

U jam mirënjohës lordëve Rothschild dhe Sansbary, të cilët ngritën një fondacion që shërbeu për promovimin e pasurisë përrallore të këtij parku, por duhet të them se për kohën që ne ishim në pushtet, ata, jam dëshmitar i kujdesit maksimal që ata tregonin për mosprekjen e parkut.

Kam korrespondencën me ta vetëm për zgjerimin e rrugës, ku unë shpjegova që kjo u bë e domosdoshme.

Ai park është një pasuri përrallore që duhej t’u kalonte shqiptarëve gjeneratë pas gjenerate.

Ai park u kafshua për vdekje nga Edi Rama, nga Mirela Kumbaro, ai park faktikisht është në kërcënim të ekzistencës së tij.

Dhe jo vetëm ai.

Edi Rama hoqi 110 mijë hekëtarë zona të mbrojtura nga bregdeti dhe i degdisi në zona nga Mali me Gropa gjer në Bulqizë.

Unë nuk them se aty nuk ka peizazhe natyrore. Jo, ka. Por ti këto të bregdetit, ku njeriu mund t’i shkatërrojë, ti nuk mund t’i hiqje kurrë nga mbrojtja.

Dhe ky i hoqi.

Ndaj dhe cili do jetë?

Sigurisht do jetë rikthimi i tyre në zona të mbrojtura.

Do ketë përpjekje të mëdha për rehabilitim.

Aty ku është e mundur rizhvillim i habitateve, mbrojtje e mëtejshme, kjo mund të bëhet.

Por dëmet janë, ju keni shumë të drejtë, të pallogaritshme.

Ju e vutë re, vetëm në një zonë të Nartës, jo në tërë zonën, se në të gjithë zonën mund të jenë të planifikuara nga mafia shqiptare, nga Ergys Agasi, Agaçëra, Alket Hyseni famëzi... po Pjerin Ndreu, kur ky më thoshte se ka dalë një Gjon dhe ka marrë kaq mijë hektarë në breg. Ajo ishte familja e Gjon Boçarit, pasardhësit e Gjon Boçarit, dhe ky e paraqiste mirditor, pavarësisht se kur i del Pjerini i tij në Zvërnec, e çel gojën? E tha një fjalë për Pjerinin?

Nuk e flet dot se është vetë me Ergysin.

Nuk e flet dot se është vetë me Alketën.

Nuk e flet dot se ka vënë të gjithë mafien socialiste aty.

Kjo është e vërteta, por unë kam bindjen e plotë se gjërat do sqarohen.