SYRI TV/ Delegacioni i BE rrëzon pretendimet e Koçiut: Të intensifikohet lufta kundër korrupsionit

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka hedhur poshtë propagandën e qeverisë Rama dhe deklaratat e zv.kryeministres Albana Koçiu, duke konfirmuar se lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe një gjyqësor i pavarur janë kyçe për procesin e integrimit. I pyetur nga Syri TV, delegacioni i BE-së theksoi se praktikat që lidhen me heqjen e imunitetit duhet të udhëhiqen nga standardet evropiane.

SYRI TV

Pas propagandës disa ditore të kryeministrit Edi Rama dhe deklaratës së zv.kryeministres Albana Koçiu, se lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe mbrojtja e Belinda Ballukut me anë të imunitetit përballë drejtësisë nuk janë kushte, Syri Televizion iu drejtua delegacionit të BE-së në Tiranë për një lexim të drejtë. Në përgjigje, ashtu si në raportin e IBAR, ritheksohet se Shqipëria mund të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe të përmbyllë procesin e integrimit vetëm duke luftuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe duke garantuar një drejtësi të pavarur, që nuk pengohet përmes imunitetit parlamentar.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian është shprehur në Pozicionin e Përbashkët të përkohshëm të BE-së për grupkapitullin e Themeloreve. Pozicioni i Përbashkët thekson rëndësinë që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe të respektojë parimin e barazisë para ligjit, si dhe që gjyqësori, përfshirë SPAK-un, të vazhdojë të kryejë punën e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme, me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe në respekt të të drejtave të mbrojtjes, pa ndërhyrje. Gjithashtu, ai nënvizon se legjislacioni dhe praktikat që lidhen me heqjen e imunitetit duhet të udhëhiqen nga standardet evropiane, veçanërisht ato të përcaktuara në opinionet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në një kohë që qeveria e Edi Ramës përpiqet vazhdimisht të mohojë këto kushte kaq thelbësore të Bashkimit Europian, më herët edhe ambasada e Gjermanisë dhe ambasada holandeze i kujtuan Shqipërisë rëndësinë e tyre në rrugën e integrimit.