Strofka e mafies siciliane që po pret dasmën e famshme të vitit
Dua Lipa dhe Callum Turner do të marrin për tri ditë një ish-fortesë të Cosa Nostra-s për festimet e martesës së tyre.
Dikur ishte një vend ku njerëzit kishin frikë të shkonin, një bastion i Cosa Nostra-s së Sicilisë.
Bagheria, në bregun verior mahnitës të ishullit, ishte pjesë e "Trekëndëshit të vdekjes", një grup qytetesh ku mafiozët torturonin dhe vrisnin rivalët e tyre në një fabrikë të braktisur gozhdësh dhe më pas ua shpërbënin trupat me acid.
Tani, pas dekadash gjakderdhjeje dhe hakmarrjesh, qyteti është kthyer në vendin më të përfolur të kësaj vere, pasi do të presë Dua Lipën dhe bashkëshortin e saj të ri, Callum Turner, për një ekstravagancë treditore aktivitetesh me rastin e martesës së tyre, pasi kurorëzuan lidhjen në Londër të dielën.
Thuhet se lista e të ftuarve përfshin emra si Sër Elton John, Donatella Versace, Mark Ronson, Harry Styles dhe Charli XCX. Madje flitet se mund të marrin pjesë edhe Madonna, Adele dhe Kylie Minogue.
Kjo do të jetë shumë larg kohëve kur Bagheria ishte sinonim i brutalitetit mafioz.
Jo larg vendit ku do të mblidhen personazhet e famshëm për dasmën ndodhet një fabrikë e braktisur që për vite me radhë u përdor si një "kamp mafiozshfarosjeje", i drejtuar nga bosi në arrati i Cosa Nostra-s, Bernardo Provenzano. Sipas ish-anëtarëve të mafias që bashkëpunuan me hetuesit, aty dhjetëra viktima u mbytën me litar.
Prokurorëve u është thënë se mjaftonte të shprehje qoftë edhe mendimin më të vogël kundër Provenzano-s për të firmosur dënimin tënd me vdekje.
Që atëherë, autoritetet e kanë goditur fort krimin e organizuar.
Përtej lidhjes së saj me torturat, vrasjet dhe atentatet mafioze, Bagheria është bërë e njohur për organizimin e dasmave luksoze dhe si vend xhirimesh filmash. Edhe turizmi po lulëzon, në vitin 2007 kishte vetëm dy bujtina, ndërsa sot ka më shumë se 200.
Lipa dhe Turner do të gjejnë në Bagheria një vend me kisha baroke, shatërvanë që rrjedhin qetësisht, pemë portokalli dhe biznese familjare, nga shitës peshku deri te kasapët.
Vila që çifti ka zgjedhur si një nga vendet kryesore të festimeve është në pronësi të një princeshe italiane me një të kaluar të veçantë. Princesha Vittoria Alliata di Villafranca, 76 vjeçe, përktheu "Lord of the Rings" në italisht dhe ka rritur deve në Lindjen e Mesme.
Raportohet se ata kanë zgjedhur Alessandra Grillo-n, organizatoren më të njohur të dasmave në Itali, për të koordinuar aktivitetet. Ajo njihet më së shumti për organizimin e martesës së influencueses më të famshme të Italisë, Chiara Ferragni, me reperin Fedez.
Lipa dhe bashkëshorti i saj i ri mbërritën në Palermo me një avion privat vonë të mërkurën në mbrëmje. Ata po qëndrojnë në Villa Igiea, një hotel jashtëzakonisht luksoz buzë detit me pamje nga Palermo dhe gjiri i tij i gjerë.
The Telegraph pati mundësinë të vizitonte hotelin, i cili dikur ishte në pronësi të një admirali britanik.
Një tarracë buzë detit ofron një pishinë dhe një fushë tenisi. Të ftuarit pinin Dirty Negroni ndërsa një pianist luante këngën "Your Song" të Elton John-it.
Lipa ka rezervuar dy kate të plota të hotelit, i cili u shfaq në kapitullin sicilian të serialit "The White Lotus".
Më pas ata do të ecin vetëm pak hapa përtej Piazza Croce dei Vespri, drejt Galerisë së Artit Modern, e vendosur në një shtëpi tregtare katalanase të shekullit XV dhe në manastirin françeskan ngjitur.
Sipas raportimeve, Elton John do të performojë në galeri, e cila krenohet me statuja bronzi të mrekullueshme, kerubinë prej mermeri, portrete të Garibaldit dhe peizazhe ëndërrimtare nga artistët më të njohur të Sicilisë.
Të shtunën, vëmendja do të zhvendoset në Villa Valguarnera në Bagheria. Organizatorët e dasmës nuk zbuluan asnjë detaj, dhe kur gazetarët e The Telegraph iu afruan portave të vilës, u urdhëruan të largoheshin nga roje sigurie tepër rigorozë, të veshur me bluza të zeza dhe pantallona ushtarake.
Çifti u dashurua me Sicilinë gjatë pushimeve verën e kaluar. Ata u fotografuan të ulur në një bordurë jashtë një lokali të vogël të quajtur Dal Barone, në labirintin e rrugicave të ngushta që përbëjnë qendrën historike plot gjallëri të Palermos.
Salvo Morello, menaxheri i lokalit, tha se Lipa dhe i dashuri i saj i atëhershëm nuk e kishin problem të uleshin në trotuar, njësoj si turistët e tjerë.
"Ata qëndruan këtu rreth tri orë. Pinë pak verë dhe tymosën disa cigare. Ajo ishte shumë normale, shumë e thjeshtë. Jemi shumë të lumtur që ka zgjedhur të rikthehet në Palermo."
Disa qytete mund të kenë pakënaqësi për shkak të mundësisë që të pushtoheshin nga të famshëm të nivelit më të lartë, së bashku me një ushtri stilistësh, organizatorësh eventesh, personeli sigurie dhe të ftuarish.
Madje, vonë të enjten në mbrëmje, në prag të festimeve të dasmës, në një mur vetëm pak metra larg pallatit u shfaqën postera proteste.
"Palermo nuk është për t'u dhënë me qira. Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjjes," shkruhej në postera.
"Hapësirat publike u përkasin të gjithëve. Ne kërkojmë të drejtën për t'i jetuar ato, të lira nga fitimi privat."
Megjithatë, shumica e banorëve të Palermos janë të lumtur që personazhe të famshëm po zbresin në qytetin e tyre. Në fund të fundit, ky është një vend që ka qenë i pushtuar dhe i sunduar nga romakët, arabët, normanët, spanjollët e dinastisë Burbon, nazistët dhe aleatët, pa përmendur kontrollin mbytës të mafias para se autoritetet të ndërhynin me forcë.
Kur u pyet nëse ishte e shqetësuar për çrregullimet që mund të shkaktonte dasma, Enrica Medico qeshi. Ajo zotëron një lokal në cep të rrugës, vetëm pak metra larg Piazza Croce dei Vespri, qendra e aktiviteteve të dasmës të së premtes.
"Po bëni shaka, apo jo? Kjo nuk do të jetë problem krahasuar me problemet e zakonshme që përballojmë çdo ditë, trafikun, mbeturinat që nuk mblidhen, ndotjen, 14-vjeçarët që vrapojnë me motorë dhe grabisin njerëzit," tha zonja Medico.
"Ne mund ta përballojmë një dasmë me të famshëm. Dua Lipa është e mirëpritur, ajo do t'i sjellë vëmendje Sicilisë. Dhe shumë para."
Goditja e madhe kundër mafias filloi seriozisht në vitet 1990, pasi mafia vrau Giovanni Falcone-n dhe Paolo Borsellino-n, dy nga prokurorët më të njohur të Sicilisë.
Vrasjet shkaktuan zemërim në mbarë Italinë dhe nxitën një reagim të ashpër nga shteti, duke çuar në arrestimin e bosëve të lartë mafiozë dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore masive, ku dhjetëra të pandehur gjykoheshin njëkohësisht.
"Ai ishte momenti vendimtar. Ishte shkëndija që çoi në ndërgjegjësimin se mafia po e shkatërronte Sicilinë," tha për The Telegraph kryebashkiaku Tripoli.
Cosa Nostra u dobësua në të gjithë Sicilinë dhe Bagheria përfitoi nga kjo situatë, duke u shndërruar gradualisht në destinacionin turistik që është sot.
"Që atëherë, sa herë që mafiozët përpiqeshin të riorganizoheshin, arrestoheshin menjëherë," shtoi ai.
Megjithatë, edhe pse periudha e artë e mafias në Bagheria ishte në vitet 1980 dhe 1990, dhuna vazhdoi edhe më vonë. Në vitin 2013, policia gjeti trupat e djegur të dy trafikantëve të drogës në një vendgrumbullim mbeturinash jashtë qytetit.
Ata ishin vrarë me armë zjarri me nga 30 plumba pistolete, si pjesë e një konflikti të brendshëm.Zoti Tripoli pranon se edhe sot kërcënimi i mafias nuk ka marrë fund."Mafia vazhdon të përpiqet të rindërtohet, por ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë."