Sulm i gjerë në Shën Petersburg, Rusia rrëzon 86 dronë ukrainas gjatë natës

Forcat ruse kanë rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas gjatë natës në rajonin përreth Shën Petersburgut, në një periudhë kur në qytet po zhvillohet një forum i madh ekonomik dhe investimesh.

Sipas autoriteteve lokale, vetëm në rajonin e Leningradit janë neutralizuar 86 dronë, ndërsa operacionet ushtarake kanë vijuar gjatë gjithë natës.

Banorëve në Shën Petersburg u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme për shkak të rrezikut nga sulmet.

Përkohësisht është pezulluar edhe aktiviteti në aeroportin ndërkombëtar të Pulkovos, pa u dhënë detaje të plota për shkaqet e ndërprerjes së fluturimeve.

Ndërkohë, sipas autoriteteve ruse, edhe në drejtim të Moskës janë rrëzuar disa dronë të tjerë që po afroheshin pranë kryeqytetit.

Në ditët e fundit, sulmet me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës janë shtuar, duke prekur si objektiva ushtarake ashtu edhe infrastrukturë energjetike.

Raportohet se janë goditur depo karburanti dhe instalime industriale në disa rajone ruse, ndërsa nga ana tjetër edhe Ukraina ka pësuar sulme në zona të ndryshme, përfshirë Zaporizhian, Dnipropetrovskun dhe Odesën, ku janë raportuar viktima dhe të plagosur.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, numri total i dronëve të kapur gjatë natës ka shkuar në qindra, duke treguar intensifikimin e sulmeve në të dyja anët e konfliktit.