Komisioni Evropian reagon për CNN: Punimet janë pezulluar, SPAK po heton përtej shqetësimeve mjedisore
Rrjeti i madh televiziv CNN, në një kronikë të zgjeruar për protestat në Shqipëri, thekson se ndryshe nga sa pretendon kryeministri Edi Rama, në zonën e Zvërnecit ka pasur punimet.
Drejtori për Evropën në organizatën bamirëse mjedisore BirdLife, Ariel Brunner, tha se ai dhe ambientalistë të tjerë vizituan zonën në fillim të majit, ku panë ekskavatorë që gërmonin në plazh dhe kamionë që shtronin zhavorr. “Nuk kishte asnjë shenjë, as pranë lagunës ku po prisnin rrugën, as në plazh ku punonin makineritë… nuk kishte shenja të ndonjë lloj licence apo lejeje apo edhe thjesht deklarate se kush ishin ata”.
Sipas CNN, një ndryshim ligjor i ka hapur rrugën ndërtimit të resorteve në zonat e mbrojtura mjedisore.
“Zakonisht, fakti që njerëzit e pasur mund t’ia dalin mbanë me atë që duan të bëjnë është diçka që fshihet nën një lloj gjuhe me interes publik, situata të jashtëzakonshme e kështu me radhë. Në fakt, të shkruash në ligj se resortet luksoze janë të përjashtuara është mjaft e jashtëzakonshme”, tha Brunner i BirdLife. “Ky është një nga tekstet më brutale legjislative që kam parë në fushën mjedisore në karrierën time”.
Ndërkohë CNN ka marrë edhe një reagim nga Komisioni Evropian.
“Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ministrit të mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për CNN në lidhje me zhvillimin në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. “Shqetësimet tona nuk janë të reja… Zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike (nga Shqipëria) vazhdon të ngrejë shqetësime në lidhje me ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian i tha CNN se ministria e mjedisit e Shqipërisë ishte “zotuar që punimet e ndërtimit janë pezulluar”. Zëdhënësi gjithashtu vuri në dukje se hetimet anti-korrupsion të SPAK “thuhet se shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore”.