Familja Ruko në Rroskovec kërkon zgjidhje: Socialistët e bashkisë ma çuan litarin në fyt. Na grabitën pronën...

Familja e Isa Rukos, banor në fshatin Strum të Bashkisë Roskovec, prej afro 20 vitesh nuk po arrin të pajiset me certifikatat e pronësisë për tokat që disponon me dokumentacion të rregullt.

Isa Ruko është i verbër totalisht dhe procedurat për pajisjen me dokumentet e pronësisë janë ndjekur nga bashkëshortja e tij, Ervehe Ruko. Në një prononcim për Syri TV, ajo shprehet se familja e tyre përbëhet nga dy prindër dhe shtatë fëmijë dhe se, pas ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, kanë përfituar 25 dynymë e 200 metra katrorë tokë.

Sipas Ervehesë, procedurat për pajisjen me certifikatë pronësie kanë nisur që në vitin 2007, por procesi është bllokuar pasi një dynym tokë, që sipas saj i përket familjes së tyre, është përvetësuar nga një baahkfshatar i tyre Dalla Erexhi, sipas saj, me dokumente të falsifikuara. Ajo pretendon se në këtë proces është përfshirë edhe ish-topografi i Bashkisë Roskovec, Vilson Kocaqi.

“Edhe pse kemi bërë ankesa të vazhdueshme në bashki dhe janë ngritur disa komisione për verifikimin e sipërfaqeve të tokës, ende nuk kemi mundur të marrim atë pjesë të pronës që na takon”, thotë Ervehe Ruko.

Ajo ngre edhe akuza për kërkim ryshfeti, duke pretenduar se persona të afërt me topografin i kanë përcjellë familjes mesazhin se, nëse paguanin 300 mijë lekë të vjetra, dokumentacioni do të rregullohej dhe certifikata e pronësisë do të jepej më shpejt.

“Jam prej 35 vitesh anëtare e Partisë Socialiste, por kta na kan vën litarin në fyt. Nuk durohen më. Prej vitesh po na sorollasin dhe po na endin dyerve të institucioneve për një të drejtë që na takon. Ne kemi dokumentet e rregullta dhe kemi kryer të gjitha pagesat pranë ish-komunës dhe bashkisë, por ende nuk po arrijmë të pajisemi me certifikatën e pronësisë”, shprehet ajo.

Për të qën korrekt Syri tv shkoi në bashkinë Rroskovec që të marr edhe prononcimin e topografit Vasil Kocaqi por si polici te porta hyrëse në bashki ashtu dhe në zyran e informacionit të bashkisë thanë se ishte në terren, u kërkuam dhe numrin e telefonit të topografit por nuk e dhanë.

Ervehe Ruko u bën thirrje institucioneve përgjegjëse dhe përfaqësuesve të opozitës që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që familjes së saj t’i njihet dhe t’i regjistrohet prona që, sipas saj, e gëzon ligjërisht prej vitesh.