Klopp nuk vjen te Real Madridi, agjenti mohon gjithçka

Jürgen Klopp nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madridit. Agjenti i teknikut gjerman ka mohuar kategorikisht zërat që e lidhin ish-trajnerin e Liverpoolit me stolin e klubit madrilen, duke i cilësuar spekulimet si të pavërteta.

Ditët e fundit, kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, kishte deklaruar se në rast fitoreje në zgjedhjet presidenciale do të kontaktonte me Raúl González dhe Jürgen Klopp për projektin e tij sportiv, duke e konsideruar gjermanin si një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e skuadrës.

Megjithatë, agjenti i Kloppit, Marc Kosicke, ka hedhur poshtë çdo mundësi për një rikthim të afërt në pankinë.

“Është bezdisëse. Ai nuk po planifikon të rikthehet në drejtimin e ndonjë klubi dhe është i lumtur te Red Bull”, deklaroi Kosicke për Sky Sport Germany.

Pas largimit nga Liverpool FC në fund të sezonit 2023/24, Klopp zgjodhi të largohej nga puna e përditshme si trajner dhe aktualisht mban një rol drejtues në strukturat sportive të Red Bull.

Kjo deklaratë duket se mbyll derën për çdo spekulim që e lidh 58-vjeçarin me stolin e Real Madrid, pavarësisht interesimit të shfaqur nga Enrique Riquelme gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Për momentin, mesazhi nga kampi i Kloppit është i qartë: trajneri gjerman nuk ka ndërmend të rikthehet në futbollin e klubeve dhe mbetet i përkushtuar ndaj rolit të tij aktual te Red Bull.