CNN: Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin
Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin, si pjesë e një rrjeti pozicionesh të fshehta në Lindjen e Mesme për të lehtësuar operacionet kundër Teheranit, thanë katër burime për CNN të njohura me çështjen.
Forcat izraelite operuan nga disa lokacione në jug të Azerbajxhanit, thanë dy nga burimet, pranë kufirit verior të Iranit dhe, në pikën më të afërt, vetëm rreth 100 kilometra nga qyteti iranian Tabriz, i cili u godit nga Izraeli gjatë luftës.
Njësi speciale komando u vendosën gjithashtu në këto zona dhe kryen misione të mbledhjes së informacionit dhe operacione me dronë, thanë dy burimet e tjera. Kjo i dha Izraelit një pozicion strategjik të rëndësishëm për të monitoruar pjesën veriore të Iranit gjatë konfliktit.
Vendosja sekrete në Azerbajxhan, e raportuar për herë të parë nga CNN, ishte një nga disa pozicionet ushtarake që Izraeli mbajti në Lindjen e Mesme, duke i dhënë ushtrisë së tij një shtrirje operacionale të paprecedentë. Kjo nxjerr në pah edhe rolin që luajtën fqinjët e Iranit — disa me miratim dhe disa me gjasë pa dijeninë ose pëlqimin e plotë të autoriteteve të tyre — në lehtësimin e operacioneve kundër Teheranit dhe përfshirjen e tyre në konflikt.
Sipas burimeve, lokacionet në Azerbajxhan ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë bazash dhe pozicionesh ushtarake të fshehta në disa vende, përfshirë Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somaliland.
Këto forca fillimisht ishin planifikuar si ekipe të mundshme shpëtimi në rast emergjence, por më vonë zgjeruan rolin e tyre dhe u shndërruan në pozicione për operacione ushtarake dhe mbledhje të informacionit inteligjent.
Së bashku, vendosjet e përshkruara nga burimet bënë që forcat izraelite të pozicionoheshin përgjatë periferisë jugore, perëndimore dhe veriore të Iranit gjatë luftës, duke zgjeruar rrezen e veprimit të ushtrisë me qindra kilometra thellë brenda territorit iranian. Këto pozicione të avancuara i ndihmuan Izraelit të vazhdonte valë të njëpasnjëshme sulmesh ndaj objektivave në mbarë vendin.
Operacioni në Azerbajxhan përfshinte disa dhjetëra ushtarë, mes tyre pjesëtarë të forcave speciale izraelite, të njësisë elitare të luftimit dhe shpëtimit me helikopterë, si dhe personel të Mosad, tha një nga burimet.
Një zëdhënës i ambasadës së Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara deklaroi për CNN:
“Ne i hedhim poshtë me vendosmëri pretendimet e pabazuara lidhur me përdorimin e supozuar të territorit të Azerbajxhanit për operacione kundër vendeve të treta”.
Pas publikimit të këtij raporti, Agjencia për Zhvillimin e Mediave e Azerbajxhanit deklaroi se:
“Publikimi i këtij informacioni synon të krijojë konfuzion në komunitetin ndërkombëtar, të minojë stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe të nxisë tensione në rajon… Pretendime të tilla të fabrikuara përbëjnë manipulim të hapur informativ”.
CNN ka kërkuar koment edhe nga Zyra e Kryeministrit të Izraelit dhe nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Ndërkohë, Somaliland, republika e vetëshpallur në Bririn e Afrikës, i ofroi Izraelit një tjetër pozicion ushtarak, sipas njërit prej burimeve. Ky pozicion mund t’u mundësonte avionëve izraelitë një pikë ndalese të mundshme gjatë fluturimeve me rreze të gjatë drejt Iranit.
Në dhjetor, Izraeli u bë vendi i parë që njohu zyrtarisht Somalilandin, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe mbajnë një prani të gjerë tregtare dhe ushtarake në qytetin-port të Berbera.
CNN, e cila raporton për herë të parë mbi përdorimin e lokacioneve ushtarake të fshehta izraelite në Somaliland, ka kërkuar gjithashtu koment nga ministria e jashtme e këtij territori.