Liderët europianë të jenë me flamingot shqiptarë!

Nga Genc Burimi 

Ndërkohë që në Shqipëri, protestuesit pa parti dhe opozitat merren vetëm me Edi Ramën, në Serbine fqinjë, anti-Vuçiç-wt, nuk ngurojnë të tregojnë me gisht dhe « Kanceleritë » që u shtrojnë qillmin e kuq autokrateve të Ballkanit perëndimor në samitin në Malin e Zi.

Avokatja dhe militantja anti-Vuçiç serbe, Dijana Stojkoviç, e njohur për kërkesen drejtuar Jurisë së çmimit Nobël, që ky çmim botëror i Paqes t’i jepet Rezistencës së studentave të cilët prej dy vitesh po sfidojnë në rrugë pushtetin e Vuçiçit, thumbon sot me këto fjalë liderët e opozitës serbe që besojnë naivisht te Europa për të luftuar autokratët :

"Kur përfaqësuesit e opozitës përpiqen të bindin popullin se gjoja BE-ja nuk mund t’i shohë me sy më njerëz si Vuçiçi, se gjoja ky sot qenka i mbaruar, se gjoja Europa do t’i vërë sanksione , shohim nje shfaqje krejt të kundërt në Tivat te Malit te Zi. Shohim Ursulën që i hidhet në qafë Vuçiçit,  Makronin që i shpreh adhurim me deklarata përkëdhelëse dhe mediat rreth samitit që e lavdërojnë pa kursim. E verteta është se jashtë kufijve çdo gjë po shkon në mënyrë të përsosur për tipa si Vuçiç. Pse kjo heshtje? ".

E njëjta pyetje nuk do të vonoje edhe për të rinjtë dhe familjet shqiptare që me një kurajo të pashoq dhe historike që nga rënia e regjimit të Enver Hoxhës kanë vendosur t’i marrin vetë fatet e tyre ne dorë siç e bënë dhe studentët e dhjetorit ’90. Por ndërkohë që eurodeputetë të shumtë dhe grupe parlamentare ne Parlamentin europian nuk kane hezituar një sekondë te shprehin mbështetje dhe solidaritet ndaj protestave të rinisë në Serbi, Europa në përgjithësi mbetet në menyrë sa të pakuptueshme aq dhe pafalshme e heshtur mbi ngjarjet e ditëve tê fundit në Shqipëri ku përtej Zvërnecit është e gjithë struktura e Shtetit sa të kalbur dhe të kapur shqiptar që vihet në pikëyetje .

Ka ardhur momenti edhe për liderët europianë që të bëjnë një zgjedhje. Të rreshtohen në anën e duhur te historisë, në atë të aspiratave të popujve ballkanike për drejtësi dhe demokraci  krejtësisht të pajtueshme dhe me nevojën e Brukselit për një hartë solide gjeopolitike dhe siguri. Për kur zërat e intetelektualëve europianë në autoparlantët e mitingjeve të qytetarëve të revoltuar shqiptarë? Ky popull sot me çiltersinë e rezistencës se tij, po bën për vete opinionet publike anekënd planetit. Mjafton për këtë të shikosh komentet e sinqerta , inkurajuese dhe plot shpresë pas çdo shkrimi që botohet aktualisht në botë mbi « të rejat » nga fronti i  revoltës popullore në Shqipëri. Sepse qytetari i botës po sheh te ai i Shqipërisë heroin e kohëve moderne, heroin e legjendës së Davidit të vogël që reziston ndaj Goliatit të neveritshëm, ndaj Fuqisë së parasë , arrogancës dhe korrupsionit. Bulevardi i Tiranes sot është kthyer në një simbol « fshati Asterix » në zemër të Europës moderne ku prepotenca e Pushtetit dhe e Parasë ndjell antipati, ndërsa revolta e «të papërfillshme » simpati. Eshtë ky grusht shqiptarësh grushtbashkuar dhe idealista, të armatosur me mikrofona ne duar, foshnje në krahë, dhe pankarta ne ajër që po sfidon Kleptokracinë e fundit në Europë. Një betejë e pabarabartë me legjionet e të Keqes, dhe hordhitë e shkatërruesve të së ardhmes. Një përballje sa e vendosur aq dhe fisnike të cilën Viktor Hygo e karakterizonte me aq mjeshtëri te romani  « Të Mjerët » me fjalët « Ju keni forcën, por e Drejta është me ne ». E drejta vonon por një ditë triumfon. Pulsi i opinionit publik ndërkombëtar që po ndjek këto ngjarje rreh sot me ritmin e fjalëve : Je suis Albanian Flamingo !