Putin ankohet për sanksionet, pretendon se roli i Perëndimit në ekonominë botërore po zvogëlohet

Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg se duke ngrirë asetet ruse jashtë vendit, vendet perëndimore po shkatërrojnë besimin në monedhat e tyre.

"Sanksionet dhe bllokimi i rezervave shtetërore ruse kanë ndikuar në mënyrë të pakthyeshme në statusin e monedhave ndërkombëtare - dollarëve dhe eurove", tha Putin, duke shtuar se tani, "ashtu si Rusia, çdo vend tjetër mund të humbasë qasjen në asetet e tij legjitime në dollarë ose euro, si dhe sistemet financiare dhe të pagesave perëndimore".

Putini bëri pretendimin se borxhet e larta kombëtare dëmtojnë besimin në institucionet perëndimore.

Vendet në zhvillim, tha ai, luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë botërore, ndërsa pjesa e vendeve perëndimore po zvogëlohet, dhe ai akuzoi Perëndimin për minimin e ekonomisë dhe financave botërore duke përdorur sanksione të njëanshme."Rrënja e turbulencës aktuale globale qëndron në kalimin nga një model vertikal, hierarkik që i shërbente interesave të një numri të vogël vendesh në një model më kompleks, shpërndarës dhe shumëpolar. Rusia i sheh ndryshimet globale jo vetëm si një kërcënim, por edhe si mundësi të mëdha. Ne synojmë të veprojmë shpejt dhe pragmatikisht në mënyrë që të përfitojmë prej tyre", tha Putin.

Forumi po mbahet në një kohë kur ekonomia e Rusisë është nën presion nga lufta në Ukrainë: Qeveria ka rritur taksat dhe ka lëshuar obligacione qeveritare për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor.

Putini po përdor forumin e Shën Petersburgut, një homolog i Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, për të shfaqur progresin ekonomik të vendit të tij dhe për të inkurajuar investimet e huaja.

Ndërsa udhëheqësit perëndimorë dhe elita globale e biznesit i janë shmangur Putinit që kur ai dërgoi trupat ruse për të pushtuar Ukrainën në vitin 2022, Rusia po kërkon mysafirë diku tjetër për të demonstruar angazhimin e saj ndaj qëllimit të saj të shpallur për një "botë shumëpolare".

Arabia Saudite dërgoi një delegacion të madh këtë vit. Erdhën presidentët e Uzbekistanit dhe Tanzanisë, si dhe nënkryetari i Kinës. Për herë të parë, pas një kohe të gjatë, SHBA-të dërguan një nga përfaqësuesit e tyre - kryetarin e Komisionit Amerikan të Arteve të Bukura, Rodney Mims Cook Jr.