Cara Delevingne: Mendimet për vetëvrasje u rikthyen kur isha në kulmin e famës sime
Modelja dhe aktorja britanike, Cara Delevingne, ka rrëfyer për periudhën kur ishte e varur nga droga, duke zbuluar se kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës së saj.
Gjatë një interviste në podcastin Call Her Daddy të Alex Cooper, aktorja tregoi se përdorte çdo ditë drogën GHB, përpara se të pësonte kriza epileptike që më pas u kthyen në sinjalin e zgjimit drejt rrugës së rehabilitimit.
Edhe pse shumë fansa e lidhin historinë e saj të rehabilitimit me fotografitë virale të paparacëve që shkaktuan shqetësim në vitin 2022, Delevingne tha se realiteti pas kamerave ishte shumë më i rëndë. Në atë periudhë, ajo përdorte GHB për ta “fikur” veten dhe më pas kokainë për të qëndruar zgjuar.
Aktorja dhe modelja 33-vjeçare tregoi se kishte planifikuar të hiqte dorë nga droga pas festimeve të shfrenuara për 30-vjetorin e saj, pas vitesh përdorimi të substancave narkotike, duke besuar se mund ta bënte e vetme. Por shumë shpejt kuptoi se sa e varur ishte bërë.
“Nuk e dija sa të varur të bënte kjo substancë”, tha ajo. “Mendoja thjesht se po e përdorja çdo ditë. Nuk e dija se duhej një proces i vërtetë mjekësor detoksifikimi. Më pas fillova të pësoja kriza epileptike dhe fotografitë e vitit 2022 u realizuan menjëherë pasi kisha kaluar një krizë gjatë festivalit Burning Man.”
Delevingne pranoi se përdorimi i drogës fillimisht i kishte sjellë një ndjenjë çlirimi nga trazirat emocionale që e kishin shoqëruar prej vitesh, të lidhura me traumat e fëmijërisë, sëmundjen e nënës së saj dhe sfidat afatgjata me shëndetin mendor.
“Kur fillova të përdorja drogë për herë të parë, kërkoja lidhje me njerëzit. Ndihesha sikur po gjeja veten. Isha argëtuese. E doja muzikën dhe kërcimin. Thoja me vete: Ky është personi që më pëlqen të jem. Kjo është diçka e mrekullueshme”, rrëfeu ajo.
Ajo tregoi se ka qenë shumë e re kur nisi të merrej me droga.
“Isha ende pa para, ndaj fillova të blija drogë për ta shitur dhe për ta përdorur vetë.”
Sipas saj, ajo që nisi si një mënyrë për t’u ndjerë pjesë e diçkaje, me kalimin e kohës u shndërrua në një mënyrë për t’u izoluar dhe për t’u zhdukur nga realiteti. Në fund, ajo e gjeti veten duke përdorur substanca e vetme, një moment që sot e konsideron si një shenjë të qartë alarmi.
“E kuptova se ishte bërë problem kur fillova t’i përdorja vetëm dhe kur më pëlqente shumë kjo gjë. Askush nuk më gjykonte dhe as unë nuk e gjykoja veten. Mund të zhdukesha nga gjithçka. Atëherë e kuptova se situata ishte serioze.”
Delevingne pranoi gjithashtu se karriera e saj po lulëzonte në të njëjtën kohë që jeta personale po shkatërrohej. Suksesi, sipas saj, shpesh e fshihte gravitetin e situatës, sepse ajo vazhdonte të punonte, të fitonte para dhe të ruante një imazh publik të një personi funksional.
“Kur je i suksesshëm dhe duket sikur gjithçka po të ecën shkëlqyeshëm, me flokë të rregulluar dhe grim perfekt, njerëzit gjejnë justifikime. Ata fitojnë para nga puna jote. Ti mban në këmbë jetët, punët dhe familjet e njerëzve të tjerë. Askush nuk dëshiron të ndalojë këtë.”
Megjithatë, pas imazhit të ndritshëm publik, ajo tha se realiteti i saj privat ishte shumë më i errët nga sa mund ta imagjinonin të tjerët.
“Nëse them se isha e zonja për ta fshehur, disa do të thoshin jo. Por nëse njerëzit mendonin se ajo që shihnin ishte e keqe, nuk kishin parë as gjysmën. Dëmi i vërtetë ndodhte kur isha vetëm, sepse atëherë askush nuk mund të më ndalonte.”
Ajo zbuloi gjithashtu se mendimet për vetëvrasje u rikthyen pikërisht në periudhën kur fama e saj ishte në kulm, ndonëse nga jashtë dukej se kishte gjithçka që kishte ëndërruar ndonjëherë.
“Mendoj se mendimet për vetëvrasje u rikthyen kur isha në kulmin e famës sime, kur supozohej të isha më e lumtur se kurrë. Pikërisht atëherë ndjeja më shumë faj dhe më shumë se kurrë mendoja se nuk e meritoja asgjë nga ato që kisha. Isha shumë pranë marrjes së vendimit për t’i dhënë fund jetës sime”, përfundoi Delevingne.