10 filmat më të mirë të Clint Eastwood

Pas më shumë se gjashtë dekadash në kinematografi, Klint Istud duket se ka përfunduar karrierën e tij filmike. Sipas djalit të tij, muzikantit Kail Istud, regjisori dhe aktori legjendar është tërhequr nga puna në moshën 95-vjeçare. Megjithatë, trashëgimia e tij mbetet e jashtëzakonshme. Me mbi 60 filma si aktor dhe rreth 40 si regjisor, Istud ka krijuar një nga karrierat më të pasura në historinë e Hollivudit.

Filmat e tij shpesh trajtojnë përplasjen mes ligjit dhe paligjshmërisë, drejtësisë dhe hakmarrjes. Ai ka luajtur hajdutë, vrasës, sherifë dhe policë, por pothuajse gjithmonë personazhe kompleksë që lëvizin në zonat gri të moralit. Kjo është një përmbledhje e dhjetë veprave më të rëndësishme të tij.

10. Letters from Iwo Jima (2006)

Një nga filmat më të vlerësuar të Istudit si regjisor. Filmi tregon Betejën e Iwo Jima-s nga këndvështrimi japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vend që të fokusohet te heroizmi tradicional, ai përqendrohet te ushtarët e zakonshëm që përballen me dëshpërimin dhe vdekjen. Interpretimet e Ken Watanabe-s dhe Kazunari Ninomiya-s e bëjnë filmin tejet prekës.

9. In the Line of Fire (1993)

Istud luan Frank Horriganin, një agjent të Shërbimit Sekret që ende ndihet fajtor për dështimin për të shpëtuar presidentin Xhon F. Kenedi. Kur një atentator i ri kërcënon presidentin aktual, ai rikthehet në veprim. Përballja e tij me personazhin e luajtur nga Xhon Malkoviç e bën filmin një thriller të fortë dhe elegant.

8. High Plains Drifter (1973)

Filmi i dytë i Istudit si regjisor. Ai luan një të huaj misterioz që mbërrin në një qytet të vogël perëndimor dhe vendos të ndëshkojë banorët për mëkatet e tyre. Atmosfera e errët dhe qasja morale e paqartë e bëjnë këtë uestern një nga veprat më interesante të tij.

7. Million Dollar Baby (2004)

Fitues i çmimit Oskar për Filmin dhe Regjisorin më të Mirë. Istud interpreton Frenki Danin, një trajner boksi të ashpër që pranon të stërvitë Megi Fitzxheraldin, një kameriere e varfër me ëndrra të mëdha. Filmi fillon si histori frymëzuese sportive, por shndërrohet në një dramë të fuqishme mbi humbjen, dhimbjen dhe dinjitetin njerëzor.

6. Juror 2 (2024)

Filmi i fundit i Istudit si regjisor konsiderohet nga shumë kritikë si puna e tij më e mirë e viteve të fundit. Historia ndjek Xhastin Kempin, një anëtar jurie që kupton se mund të jetë vetë përgjegjës për krimin që po gjykohet në sallën e gjyqit. Filmi eksploron ndërgjegjen, fajin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

5. The Outlaw Josey Wales (1976)

Një uestern i fuqishëm pas Luftës Civile Amerikane. Xhozi Uejls humbet familjen e tij kur paramilitarët sulmojnë fermën e tij. I shtyrë nga dëshira për hakmarrje, ai nis një udhëtim të gjatë që gradualisht shndërrohet në kërkim të shpengimit. Filmi tregon një anë më emocionale të heroit tipik të Istudit.

4. Trilogjia Dollars (1964–1966)

Përbëhet nga Një grusht dollarë, Për disa dollarë më shumë dhe I miri, i keqi dhe i shëmtuari,. Nën drejtimin e Serxhio Leones, Istudi krijoi figurën ikonike të “Njeriut pa Emër”, një revolverist i heshtur dhe i pamëshirshëm. Këta filma revolucionarizuan uesternin dhe e kthyen Istudin në një yll ndërkombëtar.

3. The Bridges of Madison County (1995)

Një histori dashurie e ndjerë dhe e pjekur. Istudi luan një fotograf udhëtues që nis një lidhje të shkurtër, por të paharrueshme, me një amvise të interpretuar nga Meril Strip. Filmi konsiderohet shumë më i mirë se romani mbi të cilin bazohet dhe përmban një nga interpretimet më emocionale të karrierës së Istudit.

2. Unforgiven (1992)

I konsideruar nga shumë si uesterni modern më i madh. Istud luan Uilliam Manin, një ish-vrasës që rikthehet në dhunë për të fituar një shpërblim. Filmi sfidon mitet tradicionale të Perëndimit të Egër dhe paraqet një botë ku drejtësia, hakmarrja dhe morali përplasen vazhdimisht. Ai fitoi Oskar për Filmin dhe Regjisorin më të Mirë.

1. Dirty Harry (1971)

Në krye të listës qëndron Heri Kallahan, polici i ashpër i San Franciskos. Duke ndjekur një vrasës serial të frymëzuar nga krimet e Zodiac Killer, ai përdor metoda brutale që shpesh bien ndesh me rregullat. Personazhi u bë një ikonë kulturore, ndërsa replika e famshme “Ndihesh me fat, trap?” mbetet ndër më të njohurat në historinë e filmit.

Këta filma tregojnë evolucionin e KlintIstudit nga ylli i uesternëve në një nga regjisorët më të respektuar të kinemasë moderne. Qoftë si aktor apo si regjisor, ai ka lënë pas një trashëgimi që do të vazhdojë të ndikojë breza të tërë kineastësh dhe shikuesish. / The Telegraph – Syri.net