Tragjedi në shkretëtirën e Saharës, të paktën 49 persona vdesin nga etja
Të paktën 49 persona kanë vdekur nga etja në një pjesë të largët të shkretëtirës së Saharasë në veri të Nigerit, pasi kamioni me të cilin po udhëtonin u prish, kanë konfirmuar autoritetet lokale.
Grupi po kthehej nga Mali, ku kishte marrë pjesë në një festival mysliman. Ata mbetën të bllokuar pa asnjë pikë ujë më shumë se 80 kilometra në perëndim të Assamakës, pikës kryesore kufitare mes Nigerit dhe Algjerisë.
“Udhëtarët u gjendën të bllokuar në zemër të një mjedisi armiqësor, ku temperaturat ekstreme dhe mungesa e pikave të furnizimit e bëjnë mbijetesën jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në deklaratën zyrtare të guvernatorit të rajonit Agadez.
Tragjedinë e kanë mbijetuar vetëm dy burra. Ata arritën të ecin dhjetëra kilometra nëpër shkretëtirë deri në Assamaka, ku njoftuan autoritetet dhe treguan çfarë kishte ndodhur.
Sipas informacioneve nga zyra e guvernatorit, kamioni ishte nisur nga qyteti malian Telhandeke, por kishte devijuar nga rruga e planifikuar. Shoferi, ndihmësi i tij dhe pasagjerët për ditë të tëra u përpoqën pa sukses të riparonin mjetin. Në fund mbetën pa rezerva uji, raporton BBC.
Ekipi i shpëtimit, i dërguar urgjentisht nga autoritetet lokale, ka gjetur një pamje tronditëse. Dhjetëra trupa të pajetë u gjetën nën kamionin e palëvizshëm, ku njerëzit kishin tentuar të gjenin hije, si dhe në zonën përreth mjetit. Viktimat u varrosën në vendin e ngjarjes, në varreza masive.
Gjatë kthimit nga vendi i tragjedisë, ekipi i shpëtimit, ku përfshiheshin edhe pjesëtarë të ushtrisë së Nigerit, u përball me një tjetër situatë dramatike. Ata zbuluan një tjetër kamion të prishur që transportonte më shumë se 60 persona.
Ky grup ishte bllokuar në shkretëtirë për tre ditë për shkak të një defekti në bateri dhe rrezikohej nga një fat i ngjashëm. Kamioni ishte nisur nga qyteti malian Harouba, më shumë se 300 kilometra larg kufirit. Shpëtimtarët u shpërndanë ujë udhëtarëve të rraskapitur dhe të frikësuar, ndihmuan në riparimin e mjetit dhe i lejuan të vazhdojnë udhëtimin e sigurt.
Shkretëtira në Niger prej vitesh është një korridor kyç dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm tranziti për migrantët nga e gjithë Afrika Perëndimore që tentojnë të arrijnë në Evropë.
Guvernatori i Agadezit theksoi se kjo tragjedi e fundit e vendos sërish në fokus “cenueshmërinë e të rinjve që merren me migrim dhe aktivitete ekonomike ndërkufitare, të cilët shpesh detyrohen të kalojnë nëpër zona shumë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme për të mbijetuar ose për të siguruar një të ardhme më të mirë”.