Rama: Pse e lashë Tahirin pa ministri?! Përzgjedhja nuk bëhet si në Kombëtaren e Futbollit!

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë sot në Llogara, kreu i qeverisë Edi Rama ka dhënë shpjegime mbi të gjitha aludimet që u ngritën mbi ekipin e tij të ri dhe të vjetër qeveritar si dhe lënien pa post të një bashkëpunëtori të ngushtë, Saimir Tahirit. Sipas tij, Tahiri do t'i duhet në Grupin parlamentar, që t'i mbajë qeverinë nën presion.

Ja si reagoi Rama, i pyetur mbi Tahiri, mbetur jashtë qeverisë tashmë:  ?“Kjo nuk është si puna e skuadrës kombëtare të futbollit, - tha ai. - Nuk është se qeveria është seleksion i atyre që do të hynë në fushë dhe të tjerët janë në stol. Ne kemi nevojë shumë të madhe që të kemi të tre komponentët: edhe partinë, edhe qeverinë, edhe Grupin parlamentar. Nëse komponenti i Grupit do të na dobësojë dhe nuk do të investohej, ne do të kishim problem shumë të madh dhe për vetë qeverinë.

Qeveria ka nevojë që të ketë një grup që të mbajë nën presion. Pjesa tjetër është fakti se kështu është lloji i partisë. Aty do kemi kapacitete të mira që të vazhdojnë punën me drejtimin e këtij koalicioni që them unë. Për të hapur dhe ripërtërirë partitë”, tha Rama.