Leao: Kam luajtur për gjashtë muaj jo në pozicion tim, dua Premier League-n
Rafael Leao duket gjithnjë e më larg Milanit. Sulmuesi portugez ka folur hapur për të ardhmen e tij dhe ka lënë të kuptohet qartë se vera e këtij viti mund të sjellë fundin e aventurës së tij me kuqezinjtë.
“Kam nevojë për një sfidë të re”, deklaroi Leao për “Sport TV”, vetëm pak ditë pasi kishte sinjalizuar dëshirën për t’u larguar nga Milani në një tjetër intervistë.
Portugezi theksoi se pas disa vitesh në Serie A ndihet gati për një eksperiencë tjetër, duke përmendur veçanërisht Premier League-n dhe LaLiga-n si kampionate më të përshtatshme për stilin e tij të lojës.
“Kam fituar dy trofe në Itali dhe kam kaluar një periudhë të gjatë aty. Për futbollin tim, Premier League ose LaLiga do ta vlerësonin më shumë talentin tim. Nëse do të vinte një mundësi nga Anglia, do të isha shumë i lumtur”, u shpreh ai.
Leao foli edhe për sezonin e vështirë që kaloi te Milani, duke zbuluar se ka luajtur për muaj të tërë i dëmtuar.
“Ishte një sezon shumë i lodhshëm. Luajta për 4-5 muaj me pubalgji dhe në një pozicion që nuk ishte imi. Sistemi taktik nuk më ndihmonte. Ndieja se mund të bëja diferencën, por mënyra si luante skuadra nuk ma lejonte. Pas një kohe, gjithçka bëhet rraskapitëse”, deklaroi portugezi.
Sulmuesi kujtoi edhe një prapaskenë nga vera e vitit 2019, kur ishte pranë transferimit në Milano.
“Para Milanit më kërkoi Interi, por më pas më telefonoi Paolo Maldini dhe nuk mund t’i thosha jo”, tregoi Leao.
Në fund, ai komentoi edhe raportin me Zlatan Ibrahimovic-in, figurë që vazhdon të jetë në qendër të kritikave nga tifozët kuqezi.
“E konsideroj një person të mirë, por nëse je i dobët psikologjikisht, mund të ndikohesh prej tij. Nuk është tipi që të përkëdhel apo të jep kurajë në stërvitje. Megjithatë, për mua ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse më ka ndihmuar si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Më ndihmonte të qëndroja gjithmonë i përqendruar gjatë ndeshjeve”, përfundoi Leao.