Haxhiu nga Tivati: Kosova kërkon proces të drejtë dhe të barabartë integrues

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë gjatë Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor se, një BE e bashkuar dhe më e madhe është përgjigje për ata që dëshirojnë të krijojnë destabilitet në Evropë.

Haxhiu në fjalën e saj për media, tha se në Tivat të Malit të Zi diskutuan me liderë evropianë tema të ndryshme lidhur me sigurinë dhe zgjerimin e BE-së.

“Më duhet të theksoj se e ardhmja jonë është në BE. Një BE e bashkuar dhe sa më e madhe është një përgjigje e fortë për ata që dëshirojnë të krijojnë destabilitet në Evropë”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se Kosova kërkon proces të drejtë dhe të barabartë për procesin e integrimit, derisa theksoi se vendi ka bërë reforma të rëndësishme dhe po punohet shumë për të ardhmen evropiane.

“Nga ky samit presim diskutime nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Për këtë, ne presim ta marrim pyetësorin e BE-së, statusin kandidat të BE-së për t’i hapur negociatat. Integrimi Evropian nuk është proces vetëm teknik por është për prosperitet, paqe, demokraci dhe dinjitet për Evropën dhe njerëzit tanë”, theksoi Haxhiu./ AA.