Çmenduri në Tiranë/ Qytetari i vë thikën në qafë policit të rrugores
Një përplasje fizike nën kërcënimin e thikës ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku protagonistë janë bërë një qytetar dhe një efektiv i Policisë së Qarkullimit Rrugor me inicialet L.R..
Raportohet se situata ka degraduar shpejt në dhunë, ku personi në fjalë dhe polici janë kapur me duar dhe kanë goditur njëri-tjetrin në mes të rrugës.
Autori i këtij sulmi është identifikuar si shtetasi Dorjan Kasa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave të paraburgimit.
Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, pranë një qendre tregtare, ku oficeri i policisë rrugore ishte pozicionuar mbi vizat e bardha dhe po orientonte kalimtarët e shumtë dhe këmbësorët për të kaluar rrugën e sigurt.
Në dëshminë e zbardhur që efektivi ka dhënë, ai ka përshkruar momentin kur është sulmuar nga pas: “Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja fare. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart”.
Pas reagimit të policit dhe ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të tjera të rendit që ndodheshin në zonë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i shtetasit Dorjan Kasa. Atij iu sekuestrua edhe thika me të cilën sulmoi efektivin te vizat e bardha.
Gjatë marrjes në pyetje, Kasa ka zgjedhur të kyçë gojën përpara hetuesve, duke mos dhënë asnjë deklarim apo shpjegim mbi motivet dhe arsyen se pse tentoi të godiste me thikë në qafë oficerin e policisë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.
Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.
Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.