‘I afërmi’ i zhvati 60 mijë euro 34-vjeçarit në Tiranë, pranga dy personave, një në kërkim
Një skemë mashtrimi kompjuterik dhe zhvatjeje është zbardhur nga Policia e Tiranës, duke çuar në pranga dy persona dhe në shpalljen në kërkim të një të treti.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Wrong Idea” (Ideja e Gabuar).
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga një 34-vjeçar, i cili kishte rënë pre e mashtrimit përmes një platforme komunikimi online, ku i ishte zhvatur një shume e majme parash.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, autorët kishin studiuar lëvizjet e viktimës. Njëri prej tyre ka komunikuar në rrjetet sociale me 34-vjeçarin, duke iu prezantuar në mënyrë të rreme si një person i afërm i familjes së tij. Me anë të manipulimit dhe duke pretenduar se ndodhej në një situatë emergjente, ai i ka kërkuar të riut shumën prej 60 000 eurosh.
Pasi ka besuar se po ndihmonte të afërmin e tij, 34-vjeçari ka shkuar dhe ia ka dorëzuar cash të gjithë shumën e parave shtetasit N. V., pa e ditur se po binte në kurthin e një grupi kriminal.
Në kuadër të këtij operacioni, policia ka vënë në pranga dy prej bashkëpunëtorëve në këtë skemë dhe ka shpallur në kërkim organizatorin e dyshuar. Në pranga ranë:
N. V., 25 vjeç, personi që mori shumën e parave cash;
S. F., 30 vjeç, bashkëpunëtor në krim.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi F. Gj., 43 vjeç, i cili po ashtu ka bashkëpunuar ngushtë për realizimin e këtij mashtrimi. Policia po vijon punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pas zbardhjes së kësaj ngjarjeje, Policia e Shtetit ka lëshuar një apel urgjent për të gjithë qytetarët që të tregohen tejet të kujdesshëm me komunikimet në aplikacionet e apo në rrjetet sociale”, thuhet në njoftim.