‘Masakër mjedisore’ në Elbasan/ Malltezi: Po shkatërrohen tokat bujqësore! Himçi: Po degradohet lumi Shkumbin

Në Ditën Botërore të Mjedisit, përfaqësues të opozitës dhe ekspertë kanë zgjedhur një pikë kritike në Elbasan për të denoncuar atë që e quajnë një "masakër mjedisore".

Përmes një vëzhgimi në terren, ata kanë ngritur alarmin për ekzistencën e një vend-depozitimi të paligjshëm mbetjesh, ndotjen ekstreme të lumit Shkumbin nga mungesa e impianteve dhe erozionin e tokave bujqësore për shkak të marrjes pa kriter të inerteve.

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, u shpreh se brenda një harku prej 200 metrash në këtë zonë ilustrohet qartë shkatërrimi i mjedisit në Shqipëri, duke akuzuar drejtpërdrejt pushtetin vendor dhe mungesën e veprimit nga prokuroria.

"Prapa nesh ndodhet mali me plehra i Elbasanit. Çdo ditë kryetari i bashkisë sjell kamionët me plehra aty. Ky mal me plehra është i paligjshëm. Këtu nuk ka shtet ligjor dhe prokuroria nuk vepron. Çdo ditë kryetari i bashkisë do të ishte i pandehur për depozitim të paligjshëm të mbetjeve urbane. Më tutje keni lumin Shkumbin, po ta shikoni me sy të lirë, duket kaf. Pse ndodh kjo? Se, për fat të keq, kjo qeveri nuk ka bërë asnjë impiant trajtimi të ujërave të zeza. Pak më tutje do të shikojmë se si marrja e inerteve, e zhavorreve të lumit, ka shkaktuar gjithashtu dhe kafshimin e tokës bujqësore. Tokat bujqësore po ikin. Është krim!", u shpreh Malltezi.

Nga ana e tij, deputeti Blendi Himçi u ndal te skandali financiar dhe mjedisor i inceneratorit të Elbasanit. Ai theksoi se qytetarët paguajnë tarifa të larta për një impiant që nuk funksionon, ndërsa denoncoi edhe firmat që po ndërtojnë Korridorin 8 për shkatërrim të shtratit të lumit.

“Qytetarët e të gjitha bashkive të qarkut të Elbasanit paguajnë 26 euro për ton për një incenerator, i cili u ndërtua, bur që ka funksionuar vetëm 10 ditë. Sot Elbasani është kthyer në depozitën e shtatë bashkive të tjera. Ky vend-depozitim, në studimin e fizibilitetit, nuk ka qenë studiuar për vend-depozitim mbetjesh. Ashtu siç tha dhe Jamarbri, është e ndërtuar buzë lumit Shkumbin dhe ndotja e ujërave nëntokësorë bën që të gjithë toksinat të kalojnë në lumin Shkumbin. Ndërtimi i Korridorit 8 ka sjellë masakrimin e të gjitha inerteve përgjatë gjithë rrugës të gjitha inertet i kanë marrë në lumin Shkumbin.", theksoi Himçi.

Eksperti i mjedisit dhe ish-shefi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan, Beqir Kilja, solli në vëmendje të dhënat alarmante të analizave të ujit, duke paralajmëruar për një kontaminim të rëndë që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e banorëve përmes zinxhirit ushqimor.

"Nga matjet dhe analizat që bëhen, ka një ndotje mikrobike të tmerrshme. Ka një ndotje nga elementë të ndryshëm kimikë të cilët, fshatarët, duke ujitur ujin me këtë ujë, bëhet transmetimi nga uji tek bima, nga bima tek kafsha, nga kafsha tek njeriu. Pra e gjithë kjo zonë këtu është e kontaminuar. Shfrytëzimi pa kriter i lumenjve, siç e shikoni, ka bërë që toka të ketë një erozion të tmerrshëm në krahun e majtë të lumit Shkumbin dhe po shikojmë që është pranë banesave rreth 100 metra banesës më të afërt të fshatit duhet të ndalohet urgjentisht shfrytëzimi pa kriter i inerteve.", u shpreh ambientalisti.

Në mbyllje të deklaratës, iu bë thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe mbarë shoqërisë që të ngrihen në protesta për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe mjedisin, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kontrolluese dhe inspektoratet që sot rezultojnë inekzistente përballë kësaj situate.