Reali përgatit superofertë për Michael Olise, Perez gati të investojë 130 milionë paundë

Real Madridi po përgatit një goditje të madhe në merkato dhe objektivi kryesor duket se është Michael Olise. Sipas raportimeve të “Telegraph Sport”, presidenti Florentino Perez është gati të nisë një ofertë prej 150 milionë eurosh, rreth 130 milionë paundë, për ‘yllin’ e Bayernit nëse rizgjidhet në krye të klubit madrilen.

Perez foli para medieve spanjolle në prag të zgjedhjeve presidenciale të kësaj fundjave dhe pritet të fitojë ndaj rivalit Enrique Riquelme. Ky i fundit ka premtuar transferimin e Erling Haaland-it, gjë që ka shkaktuar reagime edhe nga Manchester City.

Presidenti aktual i “Los Blancos” deklaroi se, në rast fitoreje, do të bëjë një ofertë të rëndësishme për një futbollist të nivelit “Galactico”. Ai nuk e përmendi emrin e lojtarit, por tha se bëhet fjalë për një futbollist që nuk luan në Premier League, aktivizohet në një skuadër të Champions League dhe është një emër i madh për tifozët madrilenë.

Megjithëse publikisht mohoi se objektivi është Michael Olise, mediet angleze raportojnë se pikërisht francezi i Bayernit është prioriteti kryesor i Perezit.

24-vjeçari ka shkëlqyer që prej transferimit nga Crystal Palace te Bayernit dhe konsiderohet tashmë një nga lojtarët ofensivë më të mirë në botë. Megjithatë, largimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi klubi bavarez synon ta mbajë me çdo kusht. Olise ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2029.

Në favor të transferimit mund të ndikojë edhe José Mourinho, trajneri i ri i Real Madridit, emërimi i të cilit pritet të zyrtarizohet pas zgjedhjeve presidenciale. Portugezi është një admirues i madh i Olise-s dhe ka kërkuar afrimin e tij në Madrid.

Madje Mourinho ishte parë në Berlin gjatë finales së Kupës së Gjermanisë mes Bayernit dhe Stuttgartit, gjë që ndezi menjëherë spekulimet për interesimin ndaj francezit.

Nga ana tjetër, drejtuesi historik i Bayernit, Uli Hoeness, e bëri të qartë qëndrimin e klubit bavarez: “Mund ta shohë Olise-n me pesë sy, por nuk do ta marrë. Ai është i pashitshëm”.

Ndërkohë, Reali po vazhdon të lëvizë fuqishëm në merkato. Klubi madrilen ka siguruar tashmë transferimin e Ibrahima Konaté nga Liverpooli pas skadimit të kontratës së tij, si dhe afrimin e Denzel Dumfries nga Interi pas aktivizimit të klauzolës së lirimit.