Ngjarja në Lozhanë, dalin detaje të reja! Braçellari zbrazi gjithë arsenalin ndaj bluve
Kallashnikov, pushkë model 56, çifte dhe radio policie ishin arsenali që ka përdorur në përplasjen me policinë 43-vjeçari Violand Braçellari, teksa nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë polici Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri. Policia e Korçës pretendon se në operacion kanë qenë 40 efektivë, teksa mësohet se plumbat e derdhur nga automatiku i Braçellarit kanë depërtuar edhe jelekët antiplumb. Nga ana tjetër, Policia e Korçës sqaron se nuk ka njoftuar forcat RENEA për operacionin. Ndërkohë, në Pogradec u mbajtën homazhe në nder të efektivit të vrarë Enea Mekolli.
Syri TV
Detaje të reja kanë dalë në dritë pas operacionit tragjik në Lozhan të Maliqit, ku mëngjesin e së enjtes mbeti i vrarë efektivi i “Shqiponjave” Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri, gjatë përpjekjes për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari.
Sipas burimeve të informacionit, mësohet se gjatë kontrollit në vendin ku qëndronte autori, hetuesit kanë gjetur jo vetëm kallashnikovin që dyshohet se u përdor në sulmin ndaj forcave të policisë, por edhe një pushkë model 56 dhe një çifte.
Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin e fishekëve që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij.
Në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe një radio policie dhe, gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit.
Nga hetimet e Prokurorisë dhe AMP-së për zbatimin e procedurës dhe protokollit nga ana e Drejtorisë së Policisë së Korçës, nuk janë konstatuar shkelje.
Sa i takon mungesës së kërkesës nga ana e Policisë së Korçës për forca RENEA apo Forcën Operacionale, grupi hetimor bën të ditur se Policia e Korçës pretendon se nuk ka qenë e nevojshme, ndonëse më herët kanë dështuar katër operacione të RENEA-s për kapjen e tij.
40 forca policore janë nisur në operacionin që u zhvillua në një zonë kodrinore të Lozhanit për kapjen e Violand Braçellarit, një person që ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura dhe më pas ka punuar në kompani private të sigurisë.
Në momentin që janë afruar, grupi i “Shqiponjave”, ku ndodheshin Enea Mekolli dhe kolegu i tij Edision Adri, kanë rënë në rrezen e plumbave të kallashnikovit, ku Mekollin e ka kapur një plumb në kokë që i ka shkaktuar vdekjen, teksa Adrin e ka kapur një plumb në nofull.
Ndërkohë, rezulton se edhe jelekët antiplumb të policëve janë shpuar nga plumbat, çka pritet të sjellë një hetim sa i përket cilësisë së tyre.
Gjatë ditës së sotme iu dha dhe lamtumira e fundit efektivit të policisë Enea Mekolli, i cili u vra nga Violand Braçellari.
Homazhet në nderim të tij u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, nga ora 10:00 deri në 12:00.
Qindra qytetarë, miq dhe kolegë, mes lotësh, u mblodhën për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.
Familjarët kanë kërkuar që trupi të mos prehet te Varrezat e Dëshmorëve, por në vendlindje, pranë djalit tjetër, gjithashtu një ish-efektiv policie.
Kryeministri Rama mungoi në homazhe, teksa kishte dërguar zëvendësen e tij, Albana Koçiu.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit u mbajt në orën 14:00 në fshatin Blacë, ku Enea Mekolli do të prehet mes dhimbjes së familjes dhe nderimit të komunitetit.