Gjyqi politik, GJKKO rrëzon kërkesën e Metës të dalë nga kafazi

Pas më shumë se 1 orë në dhomë këshillimi, GJKKO vendosi sot rrëzimin e kerkesës që Ilir Meta të dalë nga kafazi gjatë debatit gjyqësor.

Ndërsa pranoi kërkesën për t'i vënë në dispozicion të gjitha provat elektronike mbrojtjes së të pandehurve.

Arsyetimi i GJKKO-së: Qëndrimi në ambientin “ndarës prej xhami”, nuk cënon të drejtat proceduriale, as pengesë në komunikim me mbrojtësin, nuk cënohet as prezumimi i pafajsisë.

Në Gjykatën e Posaçme po mbahet sot seanca e radhës e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi ku më parë u rrëzua kërkesa për transmetim live të seancës, ndërsa mediat u lejuan vetëm në fillim, gjatë shqyrtimit të kërkesës.

Pas vendimit, gazetarët u larguan dhe seanca vijoi pa praninë e kamerave.

Në nisje të seancës, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi transmetim live, duke e quajtur procesin “thellësisht politik” dhe gjykatën të “bunkerizuar”. Ndërkohë, zëdhënësja Jasmina Memelli deklaroi se gjykata ka detyrimin të garantojë transparencë dhe informim publik, pasi dosja është e ngritur mbi manipulime.Jashtë sallës, zyrtarë të Partisë së Lirisë janë mbledhur në mbështetje të liderit të tyre, Ilir Meta.