Stankovic kthehet te Interi: klubi aktivizon të drejtën e riblerjes për 23 milionë euro

Interi ka zyrtarizuar rikthimin e Aleksandar Stankovic në Milano, pasi ka ushtruar të drejtën e riblerjes nga Club Brugge për shifrën prej 23 milionë eurosh.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi zikaltër përmes një komunikate zyrtare, ku konfirmohet se mesfushori serb do të rikthehet në “San Siro” si lojtar i plotë i Interit.

Stankovic, i lindur në vitin 2005, ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin milanez, e cila do ta lidhë me Interin deri në qershor të vitit 2031, duke treguar besimin e madh të drejtuesve te talenti i tij.

Në njoftimin zyrtar, Interi konfirmon:

“FC Internazionale Milano komunikon se ka ushtruar të drejtën e riblerjes për Aleksandar Stankovic nga Club Brugge. Mesfushori i vitit 2005 kalon përfundimisht tek Interi me kontratë që hyn në fuqi nga 1 korriku 2026 deri më 30 qershor 2031”.

Me këtë lëvizje, Interi forcon mesfushën e së ardhmes, duke rikthyer një lojtar të rritur në strukturat e tij dhe që konsiderohet si një nga projektet më premtuese të klubit për vitet në vijim.