Berisha: Do hetojë edhe Komisioni i Sigurisë, duhet parë nëse ka pasur dekonspirim të operacionit

Kryetari demokrat tha gjatë një dalje për mediat se për vrasjen e policit Enea Mekolli, do hetojë edhe Komisioni i Sigurisë.

“Duhet parë nëse ka pasur dekonspirim të operacionit”, tha ai.

Sali Berisha: Por, rënia e tij në krye të detyrës, ka edhe një problem tjetër madhor, i cila duhet të hetohet.

A ishte njësia e tij, ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? E një krimineli të armatosur?

Apo janë njësitë e tjera, ato të cilat në ligj kanë detyrë të përmbushin këtë mision?

A ishte njësia e Mekollit, e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit?

Është shumë e vështirë të besohen komunikatat e kreut të policisë, i cili me to kërkon me çdo kusht në vend të dorëheqjes së menjëhershme, kërkon të mbrojë karrigen e tij.

Çdo komunikatë dhe çdo veprim bëhet me miratimin e drejtorit të përgjithshëm në polici.

Cili ishte roli i tij në këtë operacion?

Sa e vërtetë është dhe çfarë lloji jeleku antiplumb kishte Enea Mekolli?

Janë të gjitha këto pyetje, të cilat Komisioni i Sigurisë në parlament duhet t’i shqyrtojë pasi këtu të tjerët janë në duart e krimit.

I bëj thirrje edhe prokurorisë të hetojë.

Por angazhimi i Komisionit të Sigurisë të parlamentit është i domosdoshëm.

Një operacion i tillë, më së paku mund të thuhet i keqorganizuar, i keqplanifikuar.

Të kontrollohen mirë të gjitha komunikimet që vrasësi ka pasur për të parë nëse kemi një dekonspirim të operacionit.

Se për të maskuar këtë, shprehen se mbante disa qen, se sikur e paskan njoftuar qentë atë se do shkojë policia për ta rrethuar.

Këto ngjallin shumë dyshime.

Por unë edhe njëherë shpreh nderimin më të madh për Enea Mekollin, të rënë në krye të detyrës si trim, si një hero i vërtetë.

Dënoj me forcën më të madhe dorën gjakatare që i mori jetën, por edhe të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë direkt apo indirekt të implikuar në këtë akt shumë të rëndë.

U ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje dëshmorin e kombit, Enea Mekolli.

I përjetshëm kujtimi i tij!