‘Dosja ndaj Metës, tërësisht e manipuluar’/ PL, Memelli: Të bëhet transparencë me seancat!
Partia e Lirisë ka hedhur akuza të rënda drejt institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar me ngulm transparencë absolute për procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmina Memelli theksoi kërkesën e përsëritur të kësaj force politike për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore.
Sipas saj, është detyrë ligjore dhe kushtetuese e gjykatës të garantojë informimin e gjerë të publikut mbi këtë çështje me ndjeshmëri të lartë.
Moslejimi i transmetimit të seancave me dyer të hapura, Memelli e cilëosi një tregues të qartë se dosja penale ndaj kreut të Partisë së Lirisë është tërësisht e manipuluar.
Memelli shtoi se izolimi ekstrem i Ilir Metës po bëhet për të fshehur mungesën absolute të provave dhe fakteve që e implikojnë atë me akuzat e ngritura.
Kemi bërë në vazhdimësi dhe pak më përpara se të fillonte gjyqi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë zoti Tedi Blushi bëri thirrje që seancat të transmetohen live. Pasi Presidenti Meta ka një karrierë prej 35 vitesh shtetar dhe ju ka shërbyer qytetarëve. Praktikisht është një detyrë morale që ai t'i japë llogari përpara të gjithë popullit që i ka shërbyer. Së dyti, gjykata e ka për detyrë që të garantojë dhe të sigurojë transmetimin dhe informimin e gjerë të publikut.
Fakti që ata nuk e bëjnë këtë gjë, do të thotë se ajo dosje për të cilën zoti Meta sot ndodhet në izolim ekstrem, është e ngritur mbi manipulime, mbi farsa, nuk ka absolutisht asnjë provë dhe asnjë fakt që zotin Meta ta implikojë me akuzat në tërësinë që i janë bërë. Ajo që ne vazhdojmë të kërkojmë është që të garantohet dhe të sigurohet transmetimi live i seancave gjyqësore, që të informohen edhe qytetarët dhe të marrin vesh njëherë e mirë që zotin Meta nuk e lidh absolutisht asnjë gjë me dosjen që ai ka.