Messi, CR7, Ochoa dhe një rekord historik në Kupën e Botës

Mungojnë vetëm gjashtë ditë nga nisja e Botërorit 2026, edicioni i 23-të i Kupës së Botës, i cili këtë herë do të zhvillohet për herë të parë në tri shtete: Meksikë, SHBA dhe Kanada. Ndeshja hapëse do të luhet më 11 qershor në “Estadio Azteca” të Mexico City, me përballjen Meksikë–Afrika e Jugut, ndërsa finalja është planifikuar më 19 korrik në “MetLife Stadium”, në New Jersey.

Ky Botëror do të jetë gjithashtu i pari me 48 skuadra dhe me format të ri që përfshin edhe fazën e 1/16 finaleve. Do të jetë gjithashtu edicioni i tretë radhazi pa praninë e Italisë.

Një nga aspektet më historike të këtij turneu lidhet me faktin se disa legjenda të futbollit mund të vendosin një rekord të paprecedent: pjesëmarrjen në gjashtë Kupa Bote.

Në histori, deri më tani, disa lojtarë kanë arritur të marrin pjesë në pesë Botërorë, mes tyre:

  • Antonio Carbajal (Meksikë): 1950, 1954, 1958, 1962, 1966
  • Lothar Matthäus (Gjermani): 1982, 1986, 1990, 1994, 1998
  • Rafael Márquez (Meksikë): 2002, 2006, 2010, 2014, 2018
  • Gianluigi Buffon (Itali): 1998, 2002, 2006, 2010, 2014
  • Andrés Guardado (Meksikë): 2006, 2010, 2014, 2018, 2022
  • Cristiano Ronaldo (Portugali): 2006, 2010, 2014, 2018, 2022
  • Lionel Messi (Argjentinë): 2006, 2010, 2014, 2018, 2022
  • Guillermo Ochoa (Meksikë): 2006, 2010, 2014, 2018, 2022

Megjithatë, tre emra në veçanti mund të hyjnë në histori në Botërorin 2026: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Guillermo Ochoa. Të tre janë grumbulluar për herë të parë në Botërorin e vitit 2006 në Gjermani dhe, nëse marrin pjesë edhe në këtë edicion, do të bëhen lojtarët e parë në histori me gjashtë pjesëmarrje në Kupën e Botës.

Deri tani, Messi është lojtari me më shumë paraqitje në Botëror mes tyre, me 26 ndeshje, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo me 22, ndërsa Ochoa ka 11 paraqitje, pasi në dy Botërorët e tij të parë ishte kryesisht zëvendësues, përpara se të bëhej titullar nga edicioni i vitit 2014.

Ky rekord i mundshëm e bën Botërorin 2026 edhe më historik, duke bashkuar epokat dhe legjendat më të mëdha të futbollit botëror në një turne të vetëm.