Botërori 2026, turneu që ndryshon historinë: sfida të reja, 48 ekipe dhe organizim i paprecedent

Kupa e Botës 2026 pritet të hyjë në histori si turneu më i madh dhe më kompleks i organizuar ndonjëherë, duke sjellë ndryshime të mëdha si në format, ashtu edhe në mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve.

Për herë të parë, Botërori do të organizohet në mënyrë të përbashkët nga tri shtete: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja. Turneu do të përfshijë 48 kombëtare, 104 ndeshje dhe 16 qytete pritëse, duke e bërë edicionin më të zgjeruar në historinë e futbollit botëror.

Ndeshja hapëse do të luhet më 11 qershor në “Estadio Azteca”, ku Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut. Një ditë më pas, më 12 qershor, do të zhvillohen dy momente historike njëkohësisht, me debutimet e vendeve organizatore: Kanada–Bosnjë Hercegovinë në Toronto dhe SHBA–Paraguaj në Los Anxhelos, duke shënuar edhe tri ceremoni të ndryshme hapjeje.

Ky Botëror do të shënojë edhe debutimin e disa kombëtareve të reja në skenën më të madhe të futbollit: Jordania, Uzbekistani, Kepi i Gjelbër dhe Curaçao. Ndërkohë, rikthehen pas shumë vitesh mungese edhe Haiti, Republika Demokratike e Kongos dhe Iraku.

Organizimi sjell edhe sfida të reja logjistike. Stadiumet e NFL-së do të përshtaten për futboll, me bar natyral dhe standardet e FIFA-s, ndërsa do të aplikohet edhe një sistem për kontrollin e temperaturës në rreth 21°C. Gjithashtu, ekipet nuk do të lejohen të stërviten në fushat zyrtare, si pjesë e masave për ruajtjen e kushteve optimale të lojës.

Udhëtimet midis qyteteve pritet të jenë një nga sfidat më të mëdha. Për shembull, Bosnjë Hercegovina do të përshkojë mbi 5.000 kilometra gjatë turneut, ndërsa disa ekipe si Egjipti do të kenë distanca shumë më të shkurtra, vetëm rreth 195 kilometra. FIFA ka vendosur gjithashtu një pushim hidratimi prej 3 minutash në çdo pjesë loje për shkak të kushteve klimatike.

Me formatin e ri me 48 ekipe, do të shtohet edhe faza e 1/16 finaleve, duke e zgjeruar rrugën drejt trofeut. Kampioni i botës do të duhet të luajë gjithsej 8 ndeshje deri në finalen e 19 korrikut në New Jersey, duke e bërë këtë edicion shumë më kërkues fizikisht krahasuar me të kaluarën.

Krahasuar me Botërorin e parë të vitit 1930, ku Uruguaji u shpall kampion pas vetëm katër ndeshjeve, ky turne paraqet një nivel krejt tjetër sfide dhe intensiteti.

Më pak se një javë nga nisja, kombëtaret e botës po përgatiten për një kompeticion që jo vetëm zgjeron futbollin, por edhe e transformon atë në një event global pa precedent.