Premier League: publikohen kandidatët për lojtarin më të mirë të vitit, Haaland dhe Rice mes favoritëve

Janë publikuar emrat e gjashtë kandidatëve për çmimin prestigjioz “Men’s PFA Players’ Player of the Year”, që jepet për lojtarin më të mirë të sezonit në Premier League dhe votohet nga vetë futbollistët e kampionatit anglez.

Lista përfshin disa nga protagonistët kryesorë të sezonit, lojtarë që kanë ndikuar ndjeshëm në rezultatet e skuadrave të tyre.

Mes emrave më të spikatur është Erling Haaland, sulmues i Manchester City-t, i cili ka zhvilluar një tjetër sezon të jashtëzakonshëm. Norvegjezi ka shënuar 27 gola në 35 ndeshje në Premier League, duke u konfirmuar si golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës së Pep Guardiolës. Në listë përmendet edhe Rayan Cherki, i cili ka kontribuar me gola dhe asistime të rëndësishme gjatë sezonit.

Në garë është edhe Bruno Fernandes, kapiteni dhe lideri i Manchester United, i cili ka regjistruar rreth 20 asistime në kampionat, duke u renditur mes mesfushorëve më produktivë në Evropë.

Një pjesë e madhe e vëmendjes shkon edhe te kampioni i Premier League-s, Arsenali, që ka tre përfaqësues në këtë listë: David Raya, Gabriel dhe Declan Rice. Portieri spanjoll është dalluar për numrin e madh të ndeshjeve pa pësuar gol, ndërsa mbrojtësi brazilian ka qenë një pikë kyçe në stabilitetin e prapavijës.

Ndërkohë, Declan Rice vazhdon të jetë një nga mesfushorët më të plotë në kampionat, falë kontributit të tij në të dy fazat e lojës, fuqisë fizike dhe aftësisë për të shënuar nga distanca apo goditjet standarde.

Garë e fortë për çmimin më të madh individual të sezonit, me Haaland dhe Rice që shihen si dy nga favoritët kryesorë për trofeun prestigjioz.