'Më mirë të qajë nëna e kriminelit, sesa ajo e policit' Prençi: Kemi polici të shitur tek grupet kriminale e oligarkët

Shemsi Prençi, ish drejtues policie i ftuar në studion e ‘Kafe Shqeto’ thotë se vrasja e policit Enea Mekolli dhe plagosja rëndë e kolegut tjetër  Edision Adri mund të ishte shmangur nëse do të ishte respektuar distanca e sigurisë nga forca shpuese e një arme kallashnikov, si dhe nëse efektivët do të ishin pajisur me masa ekstra mbrojtëse, përfshirë jelekë dhe kokore antiplumb për operacione me rrezikshmëri të lartë. Plumbi që përshkoi jelekun antiplumb të efektivit dëshmon se afrimi tek krimineli ishte bërë në një distancë fatale.

Ai tregon se operacioni për arrestimin Violand Braçellarit, një person me rrezikshmëri të lartë, i cili kishte qenë ish-ushtarak dhe kishte arritur t'i shpëtonte Forcave RENEA plot katër herë, ka dështuar që në planifikim.

Po kështu edhe deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili pranoi mungesën e dijeni për këtë operacion të rëndësishëm, është cilësuar si treguesi më i qartë i mungesës së komunikimit në zinxhirin e komandës midis Drejtorisë Vendore dhe asaj të Përgjithshme. Një menaxhim efikas, do të kërkonte thjesht mbajtjen e rrethimit të zonës nën perimetër të sigurt dhe pritjen e Forcave Speciale nga Tirana, duke evituar kështu kontaktin e afërt të papërgatitur dhe humbjet njerëzore.

Në studin e ‘Kafe Shqeto’ Prençi kujton parimin universal  “Të gjitha nënat janë nëna, por në raste fatale, është më mirë të qajë nëna e kriminelit, sesa ajo e policit”

Pjese nga intervista

Shemsi Prençi: Është e papranueshme, në mënyrë kategorike e papranueshme, për një drejtori policie që ky të rrijë. Unë kam patur rastin në Bilisht, në pjesën verilindore të Bilishtit, që një person për shkak të ngacmimit të motrës që i kishin bërë, vret dy vëllezër.

Flavio Qarri: Flet për rastin e vëllezërve Mulliri?

Shemsi Prençi : Po, në Bilisht. Në vitin 2006. Unë kam qenë në takim... ndërkohë u kam qenë në takim me një grup ekspertësh amerikanë që kishin ardhur për të asistuar policinë e shtetit, dhe kam lënë takimin dhe kam shkuar vetë në drejtim. Kam marrë megafonin dhe ndërkohë që policia po e ndiqte, derisa krijuam rrethimin e largët të autorit. Kam komunikuar me megafon duke i pozicionuar policët të mbrohen, sepse faza e interlokutimit, e ndërmjetësimit, e komunikimit, e thirrjes, është një fazë shumë e rëndësishme për një operacion. Madje arritën deri atje saqë pasi kishim siguruar rrethimin e saktë që mos na ikte, i nxorëm në megafon edhe të ëmën, duke i bërë thirrje. Por, duke marrë masa mbrojtëse për forcat e policisë që mos rrezikoheshin.

Flavio Qarri: Duke neutralizuar situatën.

Shemsi Prençi:  Jo pa qëllim ju thashë ju që pyeteni sa ka qenë distanca që autori i krimit, pra personi që ishte në kërkim, ka gjuajtur policin. Se në mënyrë kategorike nuk duhet ne t'i afrohemi më shumë se forca shpuese e armës kallashnikov, kur ti ke edhe jelekun antiplumb. Pra, ne duhet të qëndrojmë në atë pozicion që forca shpuese të mos e shpojë antiplumbin. Pra, në këto kushte do ta bësh negocimin me personin në kërkim, me kriminelin, me vrasësin, me tjetrin. Pra, a janë respektuar këta rregulla të...

Flavio Qarri: Ju mendoni se jo?

Shemsi Prençi: Po fakti që plumbi i kallashnikovit ka shpuar jelekun antiplumb...

Flavio Qarri: Kjo do të thotë që nuk është respektuar...

Shemsi Prençi: Kjo tregon që plumbi e ka shpuar. Pra, çka do të thotë që distanca ka qenë shumë më e afërt. Një, dhe e dyta, në rast se ne e kishim vlerësuar këtë person si person me potencial të lartë kriminal, përse nuk janë përdorur edhe kokoret antiplumb? Që policit të mos e marrë plumbin në kokë. Se ka antiplumb, ka dhe kokore antiplumb. Pra, nëse bëhet fjalë...

Flavio Qarri: A ka policia jonë të tilla?

Shemsi Prençi: Patjetër. Përse ka ndodhur kjo? Sepse ti mundet që personat që do përdorësh, pra forcat policore që do përdorësh për rrethimin e largët, do t'i përdorësh vetëm me antiplumb. Personat që do futen në operacion me rrezikshmëri të lartë, ndaj një personi me rrezikshmëri të lartë që di të përdori mirë armën, duhen masa ekstra, që përveç antiplumbit duhet të kesh edhe jelekun antiplumb.

Flavio Qarri: Ndaj masave ekstra.

Shemsi Prençi: Një, dhe e dyta, unë e kam përmendur edhe në studio të tjera një parim të pashkruar në legjislacionin shqiptar dhe në gjithë botën: Që të gjitha nënat janë nëna, por kur të vijë momenti për fatalitetin, është më mirë të qajë nëna e kriminelit se nëna e policit. Ky parim i pashkruar duhet të jetë në memorien e çdo punonjësi policie kur futet në një operacion me rrezikshmëri të lartë ndaj personave ekstra me rrezikshmëri të lartë. Dhe unë besoj që ky instruktazh në policinë e shtetit, në policinë vendore të Korçës, dhe përpara këtyre strukturave që do merrnin pjesë në këtë operacion nuk është bërë. Nuk është bërë sepse, fakti që...

Flavio Qarri: Ata nuk menduan fare që do kishte shkëmbim zjarri, po thoni?

Shemsi Prençi: Shiko, po një person që i ka ikur RENEA-s katër herë, një person që i ka ikur policisë, një person që e kërcënonte policinë dhe i bënte sehir duke ngritur një aktivitet biznesi në mal, pra do të thotë që ai e ka rezistencën. Këtë informacion mbi psikologjinë e këtij personi me rrezikshmëri të lartë duhet ta kishte policia e Korçës, duhet ta kishte policia e shtetit. Shiko çfarë më ka bërë përshtypje... qëndrimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Flavio Qarri: Pse?

Shemsi Prençi: I cili në krah të ministrit, tha unë nuk kisha dijeni për operacionin që do bëhej. Pra çka do të thotë që komunikimi i drejtorisë vendore me drejtorinë e përgjithshme të policisë qendrore për një operacion ndaj një personi me rrezikshmëri të lartë ka munguar. Një, e dyta, a do ishte e udhës që, duke qenë se informacioni ishte shumë i saktë, që policia e Korçës të mjaftohej vetëm me rrethimin dhe të qëndronte në pritje derisa të vinin forcat speciale nga Tirana me helikopter? Përse do të ndodhte kjo? Sepse personi me rrezikshmëri të lartë, ish-ushtaraku, braçellari, nuk mundet të dalë nga stani duke komunikuar ti me megafon. Ngushtojeni rrethimin, ngushtojeni perimetrin, merrni masa sigurie për mbrojtjen e jetës, dhe zjarri do të hapet me komandë vetëm në rast se personi do të hapi zjarr, pra duke komunikuar me megafon se i bën presionin psikologjik. Konsumon fazën e parë të negocimit, nëse ai do të dorëzohet. Po gjithmonë që ti duhet të kesh marrë masa mbrojtëse që mos të të gjuajnë me plumb. Dhe pastaj do vazhdosh edhe presionin me përdorimin e armëve, në rast se ai do... kur ai të dëgjojë gjithë ato zëra në të gjitha drejtimet, ai nuk bën përpjekje më për ta çarë rrethimin, sepse ai e di se do përballet me reagimin e armës. Dhe ndërkohë që do vinte dita, sepse në shtatë e gjysmë ka zbardhur dita, ose në orën shtatë kur ato janë vendosur në pozicionin e rrethimit. Pra, në këto kushte ai do ishte më i pasigurt po të dilte në terren për të çarë rrethimin në të majtë, në të djathtë, mbrapa apo para. Pra në këto kushte edhe duke i dhënë mundësi të mendojë për t'u dorëzuar, se prandaj është faza e negocimit, është faza pas garantimit të rrethimit të perimetrit të largët, është faza kyçe për të komunikuar me personin me rrezikshmëri të lartë.

Unë mendoj që fakti që drejtori i përgjithshëm i policisë, me sinqeritetin e tij të tepruar për momentin, e konsideroj të tepruar, se unë e di shumë mirë që eprorët e tij, ministri, kryeministri janë zemëruar me atë sinqeritet që ai shpalosi dje në media, tregon që diçka mungon në komunikimin institucional të zinxhirit. Sepse ne edhe për probleme më të thjeshta e kemi vënë në dijeni drejtorinë e përgjithshme të policisë sa herë që ne përgatiteshim për të shkuar në një operacion. Ose sa herë ne kishim një plan masash qoftë edhe për menaxhimin e një problemi në territorin vendor. Por, nisma e tepruar, me njerëz ndoshta dhe të papërgatitur për këtë situatë...

Flavio Qarri: Kjo do të ishte pyetja ime e fundit. A është kjo pasojë e një policie të bjerrur nga këto vite skandalesh dhe abuzimesh në kupolën e saj?

Shemsi Prençi: Shiko, unë lidershipin e ri të policisë e vlerësoj sepse është një oficer me integritet, por... me integritet, me profesionalizëm, por e ka gjetur policinë e shtetit në një derexhe të shpërbërë. Pra, degradim total. Ngjarjet e fundit të Zvërnecit, ku policia private përdor sprajt dhe mjete lotsjellëse kundër qytetarëve dhe kundër policisë, pra po të shikosh pamjet që përdor sprajt kundër policëve të shtetit... dhe policia e shtetit nuk reagon ndaj policisë private, të cilët rezultuan që nuk ishin as policë privatë të regjistruar dhe të liçensuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë për të qenë policë në SHRSF, tregon që policia ka degraduar, ka degraduar.

A do të mund ta kurojë lidershipi Skënderhitaj? E ka shumë të vështirë. Përse? Sepse është një periudhë kohore e gjatë, 12 vjeçare, 13 vjeçare, ku nën sloganin 'Policia që duam' të kryeministrit të Shqipërisë, kemi ngritur një polici të dhënë me konçension ndaj oligarkëve, ndaj botës së krimit. Sepse ne nga Shkodra e deri në Sarandë, kemi parë një polici të shitur te grupet kriminale. Një polici të shitur te grupet e interesit, të biznesit, tek oligarkët.

Dhe ne e shohim çdo ditë, e shohim çdo ditë atje ku protestojnë qytetarët për padrejtësi, se si lejohet arroganca e policive private, si lejohet arroganca e policisë së shtetit dhe si lejohet që në rrugët e Shqipërisë t'u qajnë oligarkët, të cilët kanë marrë fonde nga shteti dhe i kanë bërë ato rrugë për të shkuar tek parqet o te plazhet o tek komplekset turistike të tyre.

Flavio Qarri: Një pyetje naive. Nëse ju do ishit shefi i grupit të policëve gjatë protestës së Zvërnecit me ato sjellje, si do kishit vepruar pasi të kishit parë sprajt dhe pengmarrjen e atij qytetarit atje?

Shemsi Prenci: Në mënyrë kategorike do të ndërhyja direkt, do të shkoja te policia private, do ta merrja qytetarin e ngujuar brenda dhe do të arrestoja në flagrancë të gjithë punonjësit e policisë private që ishin aktivë në atë vepër të turpshme. Sepse forca e policisë së shtetit në ekzekutimin e ligjit nuk duket dhe nuk tregohet tek tërheqja zvarrë e të pamundurve, e njerëzve në nevojë, por tek ata që tregojnë muskujt, muskujt fallco, të fryrë përballë qytetarëve. Policia e shtetit në Vlorë ka qenë një dështim total në menaxhim. Por e them edhe një herë, nuk mundet... unë e kam shpreh edhe në vende të tjera. Po e keni parë kryeministrin e Shqipërisë çfarë bëri? Direkt urdhëroi pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë. Sepse në këtë formë, duke pezulluar publikisht drejtorin e policisë, shfryn tensionin. Por drejtorin e policisë, mirëpo rrethimi i 340 hektarëve tokë, brenda të cilave 100 hektarë tokë që gënjeu kryeministri që është tokë private, 186 hektarë tokë ishin pasuri publike, dunat rërore, brezi i rërës në bregdet dhe pjesa e ujit ku shtyllat e rrethimit kishin depërtuar deri në ujë.

Pra kryeministri i Shqipërisë nuk bën një analizë të thotë, kush ia dha këtë të drejtë këtyre pronarëve thonjëza, të ligjshëm të tokës, që edhe pjesën e pasurisë publike ta fusin brenda rrethimit. Përse kryeministri i Shqipërisë dhe i gjithë ekzekutivi shqiptar nuk morën masa administrative, shkarkuese apo proceduese për ata që kishin lejuar rrethimin? Si Bashkia Vlorë, Inspektoriati vendor i bashkisë, Drejtoria e Urbanistikës, Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Republikës së Shqipërisë, IKMT-ja qendrore... të gjitha, të gjitha institucionet, që të mos i rreshtojmë. Përse nuk u shkarkua askush? E dini pse nuk u shkarkuan?

Flavio Qarri: Pse?
Shemsi Prenci:  Ja të ta tregoj. Sepse të gjithë këta janë funksionarë politikë, janë patronazhistë, që partia i ka shpërblyer për votat që u kanë vjedhur, që u kanë grabitur, që kanë patronazhuar, dhe këto nuk mund të shkarkohen sepse këto i japin faturë pushtetit. Kurse një ushtarak i cili ka bërë karrierë në polici, shkarkohet vetëm për të shfryrë mllefin popullor.