Shkencëtarët krijojnë vaksinën e parë të projektuar nga inteligjenca artificiale
Një ekip studiuesish britanikë ka zhvilluar atë që po cilësohet si vaksina e parë në botë e projektuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, një arritje që mund të revolucionarizojë luftën kundër viruseve dhe pandemive të ardhshme.
Siç shkruan BBC, studiuesit nga Universiteti i Cambridge-it njoftuan se inteligjenca artificiale është përdorur për të krijuar komponentin kryesor të vaksinës, i cili më pas është testuar te njerëzit. Sipas tyre, teknologjia e re mund të ofrojë mbrojtje kundër një game të gjerë koronavirusesh, përfshirë variantet e Covid-19 dhe viruset që qarkullojnë te kafshët, të cilët mund të shkaktojnë shpërthime të reja globale.
Si funksionon?
Ndryshe nga vaksinat tradicionale, të cilat bazohen në variante ekzistuese të viruseve, kjo vaksinë është projektuar për të trajnuar sistemin imunitar që të njohë dhe luftojë të gjithë familjen e koronaviruseve, edhe në rast se ato pësojnë mutacione apo kalojnë nga kafshët te njerëzit.
Për të arritur këtë rezultat, shkencëtarët analizuan mijëra kode gjenetike të koronaviruseve të njohura. Më pas, inteligjenca artificiale krijoi një të ashtuquajtur “super-antigjen”, i aftë të sigurojë mbrojtje më të gjerë sesa vaksinat aktuale.
Testimet e para janë kryer te 39 vullnetarë dhe kishin si objektiv kryesor vlerësimin e sigurisë së vaksinës. Një fazë e dytë e studimit, ku do të marrin pjesë rreth 200 persona, do të analizojë efektivitetin e saj në stimulimin e sistemit imunitar.
Megjithëse rezultatet paraprake tregojnë një reagim të moderuar imunitar, studiuesit e konsiderojnë teknologjinë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të vaksinave universale.
Ekspertët besojnë se inteligjenca artificiale mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si zhvillohen vaksinat, duke përshpejtuar procesin e kërkimit dhe duke mundësuar krijimin e mbrojtjes kundër viruseve të panjohura përpara se ato të shndërrohen në kërcënime globale.
Paralelisht, ekipi i Cambridge-it po punon edhe për zhvillimin e vaksinave universale kundër gripit sezonal, gripit të shpendëve H5N1 dhe disa llojeve të virusit Ebola.
Shkencëtarët shpresojnë se kjo qasje e re do t’i lejojë botës të jetë më e përgatitur për pandemitë e së ardhmes dhe të shmangë pasojat e rënda që shkaktoi pandemia e Covid-19.