Pse janë mbushur sheshet?
Nga Belind Këlliçi
Edi Rama vijon të jetë i habitur pse ka shpërthyer revolta kundër tij, pse njerëzit kanë mbushur sheshet dhe i kërkojnë dorëheqjen. Ai ka kohë që ka humbur çdo kontakt me realitetin dhe mendon se gjërat janë siç i përcjell propaganda e tij.
Po Eurostat në publikimin e fundit thotë se 35% e popullsisë këtu jeton në kushtet e privimit të rëndë material, si ushqimi i mirë, veshjet, pamundësia e pagesës së qirave, të faturave, ngrohja e banesës, etj. Pra gjëra bazike.
Kjo përqindje popullsie në varfëri është 6 herë më e lartë se mesatarja e BE dhe më e larta në rajonin tonë.
Problemi më i madh në Shqipëri nuk është krahasimi me mesataren e BE-së, edhe pse propaganda e Edi Ramës na thotë çdo ditë se kemi arritur majat.
Krahasimi i një të tretës e më shumë të njerëzve me udhëheqësit e tyre, është problemi.
Përditë po dalin të dhëna për vilat luksoze të Ballukut. U mor vesh se si i merrte paratë Karçanaj dhe u panë banesat e saj të shtrenjta.
Kryeministri i këtyre që mezi mbyllin muajin, pi verë 33 mijë euro shishja dhe ndjek ndeshjet e NBA me 22 mijë dollarë bileta. Bredh botën me avion privat që e paguan populli me taksat e tij.
Pra kjo diferencë, ky kontrast ka sjellë revoltën që vjen në rritje.
I fundit që duhet të habitet me sheshet është Edi Rama, pasi ai me arrogancën e korrupsionin 13 vjeçar është burimi i pakënaqësisë masive.
Sa më shpejt të kalojë nga gjendja e habisë në atë të pranimit të realitetit dhe të dëgjojë kërkesën për dorëheqje, aq më mirë do të jetë për të dhe për vendin.