Deschamps, i irrituar pas humbjes me Bregun e Fildishtë: Është sinjal alarmi, nuk ka justifikime
Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka reaguar me tone të ashpra pas humbjes surprizë 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen miqësore përgatitore përpara Kupës së Botës. Pavarësisht avantazhit të pjesës së parë, “Gjelat” u përmbysën në fund nga një paraqitje shumë më agresive e skuadrës afrikane.
Franca e mbylli pjesën e parë në epërsi falë golit të Rayan Cherki-t në minutën e 45-të, por në pjesën e dytë loja ndryshoi krejtësisht. Bregu i Fildishtë barazoi me Guéla Doué në minutën e 53-të, ndërsa Amad Diallo vulosi përmbysjen në minutën e 84-t, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së tij.
Pas ndeshjes, Deschamps nuk i fshehu zhgënjimin dhe kritikoi performancën e skuadrës së tij.
“Është një humbje dhe nuk është kurrë e këndshme, edhe pse bëmë disa gjëra të mira, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë. Zëvendësimet e shumta nuk ndihmuan, pati më pak kohezion mes lojtarëve,” u shpreh trajneri francez.
Ai shtoi se skuadra duhet të mësojë nga gabimet dhe nuk kërkoi justifikime për rezultatin.
“Nuk ka justifikime. Kur ekipet afrikane luajnë ndaj Francës, janë jashtëzakonisht të motivuara dhe sjellin shumë forcë fizike. Ne gjithashtu bëmë gabime dhe u mbyllëm vonë në golin e dytë,” theksoi Deschamps.
Trajneri francez e cilësoi ndeshjen si një test të rëndësishëm për përzgjedhjen e lojtarëve për Botërorin, duke pranuar se jo të gjithë arritën të tregojnë nivelin e duhur.
“Ishte e rëndësishme të shihnim sa më shumë lojtarë në fushë, por nuk arritëm t’i përdorim të gjithë sonte. Gjithsesi, ky është një sinjal alarmi, nëse ende kishim nevojë për një të tillë,” deklaroi ai.
Deschamps shtoi se nuk do të teprojë në reagime pas kësaj humbjeje, por as nuk do ta injorojë atë.
“Nuk do të reagoj me ekzagjerim, ashtu siç nuk do të isha entuziast nëse do të kishim fituar. Është një hap, por jo domosdoshmërisht pozitiv, sepse është një humbje,” përfundoi ai.
Ndërkohë, mediet raportojnë se në kampin e Francës ka pasur edhe tensione ditët e fundit, lidhur me çështjen e shpërblimeve për Kupën e Botës dhe biletat për familjarët e lojtarëve, duke shtuar presionin përpara turneut madhor.