Milan në krizë projekti: edhe Maignan në dyshim, Chelsea në gatishmëri

Situata te Milani po bëhet gjithnjë e më e tensionuar pas mbylljes së sezonit në vendin e pestë dhe mungesës së kualifikimit në Champions League. Efekti domino i rezultateve zhgënjyese duket se ka prekur jo vetëm drejtimin dhe repartin ofensiv, por edhe një nga shtyllat kryesore të skuadrës: Mike Maignan.

Portieri francez, i konsideruar një nga liderët e padiskutueshëm të kuqezinjve, po mendon seriozisht të ardhmen e tij në “San Siro”. Pavarësisht rinovimit të fundit të kontratës deri në vitin 2031 dhe një rroge të konsiderueshme që e vendos mes lojtarëve më të paguar të skuadrës, Maignan nuk është më i bindur për projektin sportiv të klubit.

Sipas raportimeve, përfaqësuesit e tij kanë nisur tashmë kontaktet paraprake me klube të mëdha evropiane për të vlerësuar mundësitë e një transferimi të mundshëm në verë. Mes tyre, Chelsea po monitoron me kujdes situatën dhe mbetet i gatshëm të rikthehet në garë për shërbimet e portierit francez.

Gjendja aktuale e Maignan-it lidhet ngushtë me ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në klub. Në kohën e rinovimit të tij, në fund të janarit, Milani kishte arritur ta bindte portierin falë një projekti të qartë sportiv dhe prezencës së figurave si Massimiliano Allegri dhe Igli Tare, të cilët kishin luajtur një rol vendimtar në marrëveshje.

Po ashtu, edhe marrëdhënia e tij e ngushtë me stafin teknik, përfshirë trajnerin e portierëve Claudio Filippi, kishte ndikuar në vendimin për të qëndruar. Megjithatë, largimi i këtyre figurave dhe mungesa e një projekti të qëndrueshëm në Champions League kanë ndryshuar situatën në mënyrë të ndjeshme.

Sot, Maignan e sheh të ardhmen e Milanit me më shumë pasiguri dhe po shqyrton seriozisht çdo opsion të mundshëm. Në këtë klimë të paqartë, verë e nxehtë pritet në “Casa Milan”, me rrezikun që një tjetër lider i skuadrës të largohet nga projekti kuqezi.