Chivu flet për të ardhmen e Interit: Pata frikë se do të shkarkohesha, Championsi nuk mund të jetë...
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka folur gjerësisht për të ardhmen e zikaltërve, objektivat e sezonit të ardhshëm dhe merkaton verore, duke dhënë sinjale të qarta edhe për rinovimin e tij me klubin milanez.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, tekniku rumun bëri shaka fillimisht me jetën e trajnerëve dhe presionin e vazhdueshëm që shoqëron profesionin e tyre.
“Tani e kuptoj pse lojtarëve u bëhen kontrata pesëvjeçare, ndërsa trajnerëve vetëm dyvjeçare”, deklaroi Chivu, duke lënë të kuptohet se rinovimi me Interin deri në vitin 2028 është shumë pranë. “Trajneri është gjithmonë i pari që paguan për gjithçka. Pas humbjeve ndaj Udineses dhe Juventusit më kaloi në mendje se mund të shkarkohesha, por klubi më ka mbështetur gjithmonë”.
Chivu u ndal edhe te Champions League, kompeticion që, sipas tij, nuk duhet të kthehet në një obsesion për Interin.
“Flitet shumë për këtë kupë dhe duhet të jemi të kujdesshëm me disa obsesione. Historia e Interit na detyron të kemi ambicie, por duhet të pranojmë se ka klube që shpenzojnë gjysmë miliardi euro vetëm për të fituar Championsin”, u shpreh trajneri zikaltër. Sipas tij, objektivi fillestar i skuadrës duhet të jetë kalimi i fazës së grupeve dhe sigurimi i një vendi mes 16 më të mirave.
Trajneri rumun foli edhe për merkaton, duke pranuar se skuadra ka nevojë për përforcime në disa reparte.
“Për të fituar duhen ide, por mbi të gjitha duhen lojtarë cilësorë. Aktualisht skuadrat italiane nuk mund të bëjnë atë që bëjnë klubet angleze, por kjo nuk do të thotë se nuk do të provojmë gjithçka”, tha Chivu.
Ai konfirmoi se Interi po kërkon një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një lojtar krahu. Për largimin e Dumfries, Chivu pranoi se klubi nuk kishte shumë mundësi për ta mbajtur.
“Dumfries bëri detyrën e tij. Kishte një klauzolë dhe Interi nuk mund të bënte asgjë për ta ndalur”, deklaroi ai.
Ndërkohë, për Alessandro Bastonin, trajneri ishte shumë i qartë.
“Ai është kampioni ynë. Është normale që rreth tij të ketë zëra merkatoje, sepse është një nga qendërmbrojtësit më të fortë në botë. E di çfarë njeriu është dhe çfarë do t’i japë ende Interit në të ardhmen”.
Në fund, Chivu refuzoi ta konsideronte Interin favorit absolut për sezonin e ardhshëm, duke theksuar se skuadra duhet të vazhdojë të evoluojë.
“Duhet të përmirësohemi dhe të pranojmë se çdo sezon nis nga zero. Lojtarët e mi janë burra që marrin përgjegjësi dhe duan të tregojnë se ciklet fituese mund të vazhdojnë”, përfundoi trajneri i Interit.