EMRAT/ Pjesë e disa grupeve kriminale, 6 persona ekstradohen sot nga Dubai!
Gjashtë persona, të arrestuar në Dubai, pritet që të ekstradohen sot në Shqipëri, ka bërë me dije Policia e Shtetit.
Ata ishin në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohen për veprimtari në fushën e lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe krimeve kompjuterike.
Bëhet fjalë për shtetasit: Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici; Shkelzen Kraja; Ilir Lazri alias Ilir Sula; Aleks Pepaj alias Shkelqim Pepaj; Devit Patrut alias Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj; të gjithë të akuzuar për drogë, pastrim parash të kryer si grup kriminal. Ndërsa tjetri Merxhan Celiku akuzohet për mashtrim kompjuterik.
Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici dyshohet si pjesë e grupit kriminal që kultivonte kanabis në Sarandë dhe zonat përreth gjatë viteve 2019-2021 dhe më pas droga trafikohej drejt Greqisë. Qirici është gjithashtu dhe vëllai i Edmond Papës, biznesmeni i ekzekutuar në dhjetor 2022.
Shkëlzen Kraja është gjithashtu pjesë e një grupi kriminal. Në vitin 2024, atij iu sekuestruan disa pasuri në emër të tij me urdhër të SPAk.
Aleks Pepaj e Ilir Lazri janë pjesë e grupit kriminal të Jetmir Pepës, të akuzuar nga SPAK për trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të BE. Devit Patrut, i njohur edhe si Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, është gjithashtu pjesë e një rrjeti trafiku ndërkombëtar droge.
Ndërsa Merxhan Celiku ishte në kërkim për mashtrim kompjuterik si pjesë e grupit të Amant Josifit.
Njoftimi i Policisë:
Pritet të ekstradohen sot, në Shqipëri, 6 shtetasit e kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale.
6 shtetasit ishin në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe/ose pastrimit të parave.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ekstradohen sot, në Shqipëri, shtetasit:
-K. Q. alias J. H. alias J. Q., 44 vjeç; Sh. K., 44 vjeç; A. P. alias Sh. P., 38 vjeç dhe D. P. alias E. S. alias D. B. alias F. P., 39 vjeç, të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-I. L. alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.