Një krahasim i projekteve problematike në Beograd e në Zvërnec
Një krahasim i projekteve problematike në Beograd e në Zvërnec
1-Beograd
-Kushner
Në dhjetor 2025 Affinity Partners, firma e Jared Kushner-it, dhëndër i Presidentit të ShBA, njoftoi se tërhiqej nga projekti Belgrade Centrum që përfshinte ndërtimin e një kompleksi me hotele e qendra tregtare në qendër të Beogradit.
Affinity Partners e shpjegoi vendimin e tërheqjes duke thënë se projekti nuk lipsej të ishte përçarës por përbashkues dhe se po vepronin në respekt të popullit të Serbisë e Beogradit.
-Protesta
Në mars 2025 në Beograd filluan protesta pothuaj të pandërprera kundër projektit. Një motiv i tyre ishte sedra e lënduar nacionaliste: projekti shtrihej mbi godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të bombarduar nga NATO në v1999 dhe aktualisht ende rrënojë. Me moton “të mos u japim sot veresie amerikanëve çka ata na shkatërruan dje” u mobilizuan edhe ish ushtarakë e nacionalsitë që nuk para kundërshtojnë regjimin e Vuçiçit. Tjetër motiv ishte paligjshmëria e korrupsioni lidhur me pronën shtetërore ngjashëm me Belgrade Waterfront, një tjetër projekt ndëtimor i nisur 9 vjet më herët.
-Hetimi penal
Prokuroria Antikorrupsion e Serbisë hetoi ndryshimet e befta e të shpejta të ligjeve e rregulloreve të prera me masë për Belgrade Centrum dhe i gjeti ato abuzive madje në ndonjë rast edhe antikushtetuese. Në vijim u arrestuan disa funksionarë dhe Ministri i Kulturës Nikola Selaković u mor i pandehur. Ky moment ishte pika që përmbysi kupën; ditën tjetër Affinity Partners deklaroi tërheqjen nga projekti
2-Zvërnec
-Standartet ligjore
Qeveria Rama ka ndryshuar para pak vitesh ligjin për zonat natyrore të mbrojtura duke dobësuar standartet ndërkombëtare mjedisore dhe duke devijuar nga legjislacioni i Bashkimit Europian. Gjithashtu ajo ka zgjatur vazhdimisht afatin e ligjit për investitorët strategjikë, i cili normalisht duhet të kishte dalë nga fuqia në v2018. Këto ligje janë kritikuar nga opozita në Kuvend, ekspertët si dhe janë shqetësime permanente në raportet periodike për Shqipërinë të Komisionit e të Parlamentit Europian. Projekti Zvërnec bazohet pikërisht në këto ligje problematike.
-“Pronarët” e tokës
Ndërkohë që në Beograd projekti zhvillohej në tokë shtetërore, në Zvërnec pronarët e tokës janë privatë por të llojit të veçantë. Në listën e tyre kemi një personazh të njohur për përvetsim masiv tokash përmes marifeteve në rremujën e letrave lloj-lloj të ZRPP-ve, noterëve e gjykatave; krahas tij është dhe avokati i vet që u dënua me 10 vjet burg se në favor të klientit falsifikoi letrat e pronësisë mbi tokën në fjalë (!); më tej akoma pronar është gjyqtari i apelit (më pas i përjashtuar me veting) i cili i dha pafajësinë avokatit (cështja penale u kthye pë rigjykim nga Gj. e Lartë). Pastaj vijojnë të tjerë personazhe me çështje penale të vjetra e aktuale.
Këtu duhet të shtojmë edhe pronarë me letrat e ligjit 7501 e ish pronarë me letra historike.
Vetëm sa më sipër do të zmbrapste çdo investitor ndërkombëtar serioz jo vetëm se riskonin që t’i shkonin milionat dëm por edhe sepse do të riskonte reputacionin. Nëse hetimi penal, SPAKu ka nisur procedurën verifikuese që në vitin e shkuar, do të konfirmojnë faktet e mësipërme të raportuar nga media investigative është e sigurt se Affinity Partners do të lëshojë një njoftim shtypi si ai i Beogradit në dhjetor. Në mos po e bëjnë më herët. Po ashtu edhe të tjerët përfshi vëllezërit nga Katari. KM Rama thotë këto janë kontrata privatësh. Por Kushneri dhe shoqja janë privatë specialë dhe Rama që është takuar disa herë me ta dhe që ka ditur patjetër katrahurën pronësore në Zvërnec mban përgjegjësi që i lejoi në qorrsokak.
-Protesta
Që nga fillimi i javës një numër i madh protestuesish, kryesisht rinorë, tubohet në bulevard e para kryeministrisë për Zvërnecin. Ata kërkojnë nga dorëheqja e qeverisë tek anullimi i amendimeve në ligjet mbi zonat natyrore të mbrojtura e mbi investitorët strategjikë tek pezullimi i Projektit Zvërnec. Protesta është pa lidership të njohur, ideologjikisht amorfe, me teknika fantaziste por edhe pjesërisht me mesazhe idiote në disa pankarta e fjalime. Por kauza që i ka nxjerrë në rrugë është legjitime dhe opozita parlamentare, megjithë provokimet e paduhura nga segmente të protestës, lipset të gjejë mënyra të diferencuara të përkrahjes aktive.
-Mediatizimi ndërkombëtar
Çështja e Projektit Zvërnec dhe protesta kundra tij ka marrë dhenë e po pasqyrohet masivisht në mediat amerikane dhe europiane si dhe në rrjetet sociale. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të ndjeshmërisë për mjedisin. Por realisht shkaku kryesor është armiqësia e mediave tradicionale në ShBA e në Europë me Presidentin Trump. Përpjekja e Ramës për të ndryshuar narativën po dështon sikurse tregoi intervista dizastër e tij me CNN ku ai humbi vetëkontrollin.
Implikimi i dhëndrit Kushner e i të bijës Ivanka në një projekt problematik është rast ideal për t’a sulmuar direkt e indirekt presidentin amerikan sidomos kur në sfond janë zgjedhjet e mes-mandatit (mid terms) të Kongresit në fund të vitit. Mbas medias në skalion të dytë po pregatiten kongresmenët demokratë në opozitë me nisma hetimore ndaj Kushnerit e familjes Trump.
Pra të mos kemi iluzione: projekti Zvërnec e Shqipëria po përdoren në luftën politike përtej oqeanit. Po kështu ndodhi e përtej Adriatikut me të majtën italiane që ishte pro Edi Rama deri kur ky i fundit bëri ujdi me KM Meloni për kampet e emigrantëve. Pastaj filluan kritikat si dhe hulumtimet e disa mediave mbi lidhjet e Ramës me narko-kartelet.
Cilido qoftë motivi ky lloj mbulimi mediatik është pozitiv për Shqipërinë mbasi nxjerr në pah të vërteta të hidhura të mbuluara nga propaganda, padituria e mos-interesi.
Ndërsa Jared Kushner do të dalë vetë nga ky qorrsokak dhe Presidenti Trump e Partia Republikane amerikane kujdesen vetë për sfidat e tyre.
Genc Pollo
5 qershor 2026
P. S. E di që ky krahasim ka 101 probleme. Por më nxit fantazinë prania e F. Lubonjës në të dy rastet. Siç përdori PS ne v1997 “Komitetet e Shpëtimit” ashtu mund të tentojë edhe PD me “Flamingot e Bulevardit” .