Goditi me qytë pistolete bariun se i kërkoi 2 ditë leje. Si u zbulua i kërkuari Braçellari, qëlloi nga afër 2 policët e Korçës

Nga Elton Qyno - Syri

Violand Braçellari, është lokalizuar dhe zbuluar nga policia e Korçës, nga kallëzimi i një bariu lopësh, të cilin 43-vjeçari që vrau punojësin e Policisë së Shtetit, kishte vetëm 1 javë që e kishte punësuar në stanin e tij si bari.

Gazetari Elton Qyno mëson se sipas kallëzimit dhe dëshmisë së dhënë në Polici nga bariu dy ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, ai ishte punësuar nga Violand Braçellari kundrejt një rroge prej 1200 euro. Kishte punuar vetëm 1 javë dhe pas kësaj periudhe, ai i ka kërkuar dy ditë lejë Violand Braçellarit, pasi duhet të shkonte diku për nevojat personale. 

“…Ti sapo ke filluar punë, direkt kërkon lejë për dy ditë…”-mësohet t'i jetë drejtuar Violand Braçellari, bariut të tij, duke i refuzuar dhënien e lejës për dy ditë.

Bariu ka vijuar me argumentet e tij se do braktiste punën pasi për dy ditë e kishte të pamundur t'i shërbente. Kaq ka mjaftuar dhe mes Braçellarit dhe bariut të lindë një konflikt fizik, i shoqëruar me kanosje me armë dhe goditje në kokë me qytën e pistoletës, nga ana e Braçellarit.

Bariu është larguar i kërcënuar dhe me frikën e vrasjes së tij.

Ai i është drejtuar policisë së Korçës, duke bërë kallëzim penal ndaj Braçellarit. Pas dy ditësh, policia e Korçës si pasojë e një plani operacional ka angazhuar rreth 40 forca policie me qëllim arrestimin e Braçellarit, i cili prej disa vite me rradhë i kishte sfiduar forcat e policisë së qarkut Korçë.

Nisur nga kjo situatë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia ka rrethuar stanin.

Por nga ana tjetër Braçellari, ka reaguar me armë automatike kallahsnikov, duke vrarë në një distancë të vogël Enea Mekollin, i cili kishte depërtuar në brendësi të stanit me qëllim kapjen e personit të shpallur në kërkim, i cili ishte kthyer në shqetësim serioz për komunitetin e zonës.

Breshëritë e armës automatike, kanë prekur dhe kolegun e Mekollit, Edison Adrin, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe po trjtohet në spitalin ushtarak në Tiranë.

Në ambjentet e stanit të bagëtive, forcat e tjera të policisë mundën të arrestojnë Braçellarin, të sekuestrojnë armën e krimit, një pistoletë, radio të ngjashme si ato të policisë, telekamera, dronë, municione të ndryshme e deri tek dylbitë profesionale.

Aktualisht prokuroria e Korçës ka nisur hetimet ndaj Violand Braçellarit për akuzën e “Vrasjes për shkak të cilësive të veçantë” ndaj punonjësit të Policisë dhe “Vrasjes për sgkak të cilësive të veçantë ndaj punonjësit të policisë” mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit”, Kundërshtimme armë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Për të gjitha këto akuza Braçellari rrezikon një dënim me burgim të përjetshëm.