U vra gjatë një operacioni policor në Maliq, sot homazhe në nderim të Enea Mekollit
Qyteti i Pogradecit do t’i japë sot lamtumirën e fundit Enea Mekollit efektivit i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, nga ora 10:00 deri në 12:00, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë do të mblidhen për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të mbahet në orën 14:00 në fshatin Blacë, ku Enea Mekolli do të prehet mes dhimbjes së familjes dhe nderimit të komunitetit.
Familja refuzoi varrimin e Enea Mekollit te Varrezat e Dëshmorëve.
Megjithëse statusi i ‘Dëshmorit të Atdheut’ parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindjen e tij. Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga nje sëmundje e rëndë (leuçemi), gjithashtu efektiv policie.
Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.