Zgjedhjet ndajnë legjendat e Realit, Roberto Carlos me Perezin, Riquelme mbështetet nga Casillas, Raul dhe Hierro

Zgjedhjet presidenciale te Reali po hyjnë në fazën më të nxehtë dhe, si në çdo garë të madhe, edhe legjendat e klubit kanë nisur të pozicionohen publikisht në mbështetje të kandidatëve të tyre të preferuar.

Nga njëra anë qëndron Florentino Perez, president historik i madrilenëve, i cili drejton klubin që nga viti 2000 me një ndërprerje të shkurtër mes viteve 2006 dhe 2009. Përballë tij është kandidati i ri, Enrique Riquelme, që synon të sjellë ndryshime të mëdha në “Santiago Bernabeu”.

Në prag të votimit, një nga figurat më ikonike të Realit, Roberto Carlos, ka deklaruar hapur mbështetjen për Perezin. Ish-mbrojtësi brazilian nuk la asnjë dyshim për preferencën e tij.

“Do të votoj për Florentinon, kjo është e sigurt”, deklaroi Roberto Carlos. Më pas ai shtoi me tone shumë entuziaste: “Do të fitojmë bindshëm. Florentino është Florentino. Unë e quaj ‘baba’. Është një person fantastik dhe presidenti më i mirë i të gjitha kohërave”.

Megjithatë, edhe rivali i tij, Enrique Riquelme, ka siguruar mbështetje shumë të rëndësishme nga figura historike të klubit. Kandidati i ri mund të llogarisë në përkrahjen e tre ish-kapitenëve legjendarë të Realit: Iker Casillas, Raul Gonzalez dhe Fernando Hierro.

Vetë Riquelme e bëri publik lajmin përmes një letre drejtuar anëtarëve të klubit. Ai premtoi se, nëse zgjidhet president, Casillas do të ketë një rol të rëndësishëm drejtues në klub. Ndërkohë, Raul është parashikuar për postin e drejtorit sportiv, ndërsa Hierro do të drejtojë sektorin e të rinjve.

Në fund të mesazhit të tij, Riquelme u bëri thirrje anëtarëve të klubit të votojnë për ndryshim.

“Të dielën do të vendosni nëse Reali do të mbetet një klub për pak persona apo do të rikthehet të jetë vërtet klubi i anëtarëve të tij”, shkroi kandidati për president.

Zgjedhjet po ndiqen me shumë interes nga tifozët madrilenë, ndërsa përplasja mes Perez-it dhe Riquelme-s pritet të jetë një nga më të fortat e viteve të fundit në historinë e klubit.