Maliq/ Në stanin ku fshihej Braçellari u gjet kallashnikov, radio policie e dronë! Ish komandoja kërcënoi dhe...

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas operacionit tragjik në Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i “Shqiponjave” Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri gjatë përpjekjes për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari.

Burime bëjnë me dije se gjatë kontrollit të banesës së Braçellarit, hetuesit kanë gjetur jo vetëm kallashnikovin që dyshohet se u përdor në sulmin ndaj forcave të policisë, por edhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak. Po ashtu janë sekuestruar radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga Policia e Shtetit, dylbi si dhe dronë, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar përdorimin e tyre.

Të njëjta burime sqaruan se të mërkurën e datës 3 qershor, pra një ditë para ngjarjes, 43-vjeçari ishte denoncuar në polici nga çobani që kishte vetëm 15 ditë që e kishte punësuar në stallat e tij. Sipas kallëzimit, Braçellari e kishte kërcënuar me jetë dhe nuk kishte pranuar r’i jepte pagesën për punën e kryer.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Braçellari ka pasur një të kaluar problematike edhe më herët. Në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, ai është paraqitur në Forcat e Armatosura, por ka qëndruar vetëm tre ditë dhe më pas nuk është rikthyer më në repart. Edhe për këtë rast, burime sqarojnë se ka pasur një procedim të hapur ndaj tij.